Prishtinë, 14 maj 2014
Të nderuara familje të dëshmorëve
E nderuara familje e komandantit Qamil Ilazit dhe gjithë heronjve të tjerë,
I nderuari baca Adem,
Të nderuar deputetë,
Të nderuara autoritete qeveritare,
Të nderuar kryetar të komunave, ministra,
Zonja dhe zotërinj,
Qytetarë të Republikës së Kosovës,
Sot, jemi këtu për të shënuar më nderimet më të larta shtetërore 15 vjetorin e rënies së njërit nga komandantët më të shquar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, komandant Qamil Ilazit dhe bashkëluftëtarëve të tij.
Komandant Qamil Ilazi, i njohur me nofkën luftarake “Bardhi”, hyn në radhën e komandantëve tipik të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që ranë në detyrë, në krye të brigadave, si Agim Bajrami, Fehmi Lladrovci, Ilaz Kodra, duke u bërë shembull i drejtuesit të luftës dhe i luftëtarit të lirisë.
Komandant Bardhi dhe shumë komandantë tjerë ndoqën po atë rrugë që me aktin sublim e ngrit në akt heroik Komandanti Legjendar i Ushtrisë Çlirimtare, Adem Jashari.
Qamil Ilazi ishte një veprimtar i dalluar i çështjes kombëtare që në moshë të hershme, duke u bërë pjesë e të gjitha përpjekjeve për liri dhe pavarësi.
Ai vepronte dhe ishte pjesë e veprimeve që kishin synim emancipimin dhe të drejtat e shqiptarëve kudo që ishin.
Qamil Ilazi do të jetë pjesëmarrësi i demonstratave të vitit 1968, që nuk prekën vetëm Kosovën e sotme, por edhe qytete tjera shqiptare, si qytetin e Tetovës, që u solidarizua me kërkesat e rinisë studentore të Prishtinës.
Qamil Ilazi ishte veprimtar të cilin përndjekja e regjimit nuk e zmbrapsi nga veprimtari atdhetare.
Ai do të jetë edhe një sindikalist, kur duhej të mbroheshin të drejtat e punëtorëve në vitet e nëntëdhjeta.
Zonja dhe zotërinj,
Dalja në skenë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës Qamil Ilazin e gjen në radhët e saj, si një luftëtar, organizator dhe drejtues të saj.
Pas rënies së komandantit të Brigadës 162 të Zonës Operative të Nerodimës, Agim Bajramit, komandant Bardhi do ta drejtojë me sukses këtë Brigadë.
Kjo Brigadë do të shquhet në luftimet e pranverës 1999, sepse në radhët e saj dhe në krye kishte komandantin Qamil Ilazi.
Edhe komandant Bardhi, si dhe komandantë të tjerë u shqua për trimërinë, vendosmërinë dhe shpirtin sakrifikues.
Por, lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës zbuloi edhe një cilësi të karakterit të luftëtarit, i cili më parë se urdhërdhënës është prijës dhe luftëtarë i lirisë.
Komandant Bardhi ishte i afërt më ushtarët e lirisë dhe mbi të gjitha çmonte trimërinë e ushtarëve, përkrahjen dhe vullnetit e popullatës civile në kohët më të vështira qëndronte i afërt me ushtarët dhe me qytetarët civilë, ishte gjithmonë në mesin e tyre.
Ky ishte dimensioni human i luftës së drejtë të Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, që po manifestohej përmes luftëtarëve dhe komandantëve të saj në beteja, në terren, anë e kënd Kosovës.
Rënia e komandantit Qamil Ilazi, ishte humbje e madhe për Brigadën 162, ishte humbje e madhe për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, ishte humbje e madhe për popullin e Kosovës, ishte humbje e madhe për kombin.
Prandaj, sot shteti i Kosovës dhe kombi shqiptar e nderon dhe e respekton jetën dhe veprën e tij dhe gjithë bashkëluftëtarëve të tij.
Sot, të nderuar të pranishëm kur po e shënojmë këtë 15 vjetor të rënies së komandantit Qamil Ilazi dhe bashkëluftëtarëve të tjerë, ne në Kosovë tanimë kemi nxjerrë ligjin për veteranët e luftës. Është një ligj i cili zgjidhë njëherë e përgjithmonë çështjen e të drejtave të veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të bashkëluftëtarëve të mi, që respekton dhe garanton benificione për veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, njëherë e përgjithmonë, për veteranët, për familjet e tyre, për fëmijët e tyre.
Unë vetëm dua t’ju siguroj dhe t’ju garantoj se ky ligj për veteranët që është përcjell edhe me debate, është ligji më i mirë dhe më bashkëkohor që e kemi ne, më i mirë se në Kroaci dhe në Bosnjë.
Ky ligj është shkruar prej vetë veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në konsultim të ngushtë me zyrën time dhe kam marrë pjesë edhe personalisht.
Prandaj, dua t’ju them se ligji për veteranët e UÇK-së është ligji i vullnetit të veteranit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, dhe atë ligj e ka vulosur me gjak luftëtari i lirisë.
Natyrisht, sot kur po shënojmë 15 vjetorin e rënies së komandantit Qamil Ilazi, bashkëluftëtarit dhe bashkudhëtarit tim personalisht dhe tuajit, unë ruaj kujtimet e freskëta, kujtoj çdo takim me komandant Bardhin dhe luftëtarët e Zonës Operative të Nerodimes, kudo në çdo fshat, të Hanit të Elezit, të Kaçanikut, të Ferizajt, të Bjeshkëve të Sharrit, kudo në ato bregore, fusha, lugina, shtëpi, bjeshkë dhe Luboten.
Kujtoj ato male, ato bjeshkë, atë acar, borë, shi, baltë por mbi të gjitha kujtoj trimërinë tuaj, guximin tuaj, besën tuaj, bukën tuaj, angazhimin tuaj, sakrificën tuaj, fitoren tuaj.
Sot, kur shënojmë 15 vjetorin e rënies së komandantit Qamil Ilazi, ne si shtet, tanimë kemi nxjerrë edhe vendimin tjetër të rëndësishëm për formimin e Ushtrisë së Kosovës – Forcat e Armatosura të Kosovës.
Ka qenë jashtëzakonisht e rëndësishme për ne si shtet që kemi arritur të kemi pajtueshmëri dhe mbështetjen e plotë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të Bashkimit Evropian, madje edhe të atyre pesë vendeve që ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, mbështetjen e plotë të NATO-s, për të marrë vendim për formimin e Ushtrisë.
Jo çdo vendim që marrim ne e që e konsolidon shtetin tonë, i gëzohen të gjithë, por ne duhet t’i marrim vendimet, kur t’i marrim ne vendimet edhe ata fillojnë të ndryshojnë.
Pa e formuar UÇK-në askush nuk ishte interesuar për ne. E keni parë Dejtonin, është dashur të fillojë diçka, të ndodhë dështimi në Dejton, të zhvillohet luftë tek ne, pastaj të vijnë për të folur me ne dhe natyrisht kur u ulëm fituam, sepse e drejta ishte në anën tonë.
Edhe tash ne kemi marrë vendimin për Ushtrinë e Kosovës. Qëndrimi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës është shumë i qartë, e përkrahim formimin e Ushtrisë së Kosovës, qëndrimi i 28 shteteve të Bashkimit Evropian është shumë i qartë dhe unik, ata mbështesim formimin e Ushtrisë së Kosovës. Qëndrimi i NATO-s në mbështje të formimit të Ushtrisë së Kosovës është poashtu unik.
Tash erdhi dilema, pa të keqe, pa dashur ta kritikoj askënd, që pas vendimit të Qeverisë së Kosovës për formimin e Ushtrisë, vjen dilema në Parlamentin e Kosovës, hajde flasim kur duhet ta bëjmë Ushtrinë?
Jo rastësisht një mik ndërkombëtar më pyeti apo thjesht më tha: Hashim, më lehtë e kishe bërë Ushtrinë pa Parlament se tash me Parlament, e kishte fjalën për UÇK-në.
Prandaj u bë mirë që u shpërnda Parlamenti. Një Parlament i një vendi që nuk merr vendim për të formuar ushtrinë e vet, ata njerëz duhet të shkojnë në shtëpi dhe kanë shkuar në shtëpi.
Jam i bindur se kanë për të ardhur njerëz të fuqishëm, njerëz të zotë, të përgjegjshëm që dinë të marrin vendime të mëdha.
Vendimi i parë i Parlamentit të ardhshëm të Kosovës, unë ju siguroj dhe garantoj duke u nisur prej bacës Adem dhe të gjithë juve dhe përmes juve gjithë qytetarët e Kosovës, do të jetë formimi i Ushtrisë së Kosovës që do t’i ketë 8 mijë vajza dhe djem të Kosovës. Kjo Ushtri do të jetë me kritere dhe standarde të NATO-s.
Të nderuar të pranishëm,
Natyrisht se kapitulli më i ndritur i luftës u mbyll në qershor të vitit 1999, një muaj pas rënies së komandant Bardhit.
Kosova filloi kapitullin tjetër atë të lirisë, të përpjekjeve për të kaluar tranzicionin me sukses. Dhe, këtë fazë e tejkaluam duke realizuar projektin e shpalljes së Pavarësisë më 17 shkurt 2008. Tani i kemi 106 njohje ndërkombëtare.
Edhe unë do të dëshiroja që Kosova të jetë pjesë e Organizatës së Kombeve të Bashkuara, por ju e dini që në Këshillin e Sigurimit është Rusia. Unë nuk kam arritur që ta bind Rusinë që të na votojë aty. Kush mund ta bindë ja paftë hajrin edhe pushtetit, por nuk di shqiptar në Kosovë që mund ta bindë Rusinë, por do t’ia gjejmë ilaçin edhe asaj.
Askush mos të mendon se është lehtë të lobohet shtet për shtet për njohjen e shtetit të Kosovës. Nuk është e lehtë.
Kemi arritur sukses të madh me mbështetje të fuqishme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian, të NATO-s dhe Shqipërisë mbi të gjitha.
Ne duhet të kemi durim strategjik, e ritheksoj durim strategjik, por duhet të kemi vendosmëri të çeliktë në atë çka duam ne.
Rruga jonë e lirisë ka qenë e gjatë, rruga e konsolidimit do të jetë më e shkurtër. Ne kemi qëllim dhe synim integrimin në NATO dhe Bashkim Evropian.
Nuk ka forcë që mund ta ndalë të ecurit përpara të Kosovës për t’u anëtarësuar në NATO dhe Bashkimin Evropian, sepse ky është vullneti i qytetarëve të Kosovës, ky është vizioni i politikës së Kosovës.
Natyrisht, ndoshta mund të ecet më shpejtë, dikush që mendon ndryshe mund të mendojë që mund të ndodhë brenda natës, por jemi këta që jemi.
Duhet të punojmë të gjithë së bashku dhe me besim të plotë në të ardhmen tonë.
Tani, pas bërjes së lirisë, bërjes së Kosovës të pavarur dhe sovrane, konsolidimit shtetit tonë edhe anëtarësimit të Kosovës në shumë organizma rajonal dhe ndërkombëtar, ne duhet të vazhdojmë të marrim vendime të mëdha dhe të rëndësishme për zhvillimin ekonomik, për të hapur vende të reja të punës dhe rritjen e mirëqenies sociale të qytetarëve.
Unë jam i vetëdijshëm për gjendjen që është në Kosovë, por unë dua t’ju siguroj se Kosova për periudhën e shkurtër kohore që ka kaluar është rekord për të ecurit përpara, shpejtë dhe suksesshëm, krahasuar me vendet tjera të rajonit, që kanë dalur nga kriza.
Jemi te fundit që e kemi fituar lirinë në rajon, jemi të fundit që e kemi fituar pavarësinë, por jemi duke ecur shumë më shpejt se shumë vende të tjera që janë të pavarura shumë e shumë vite më parë.
Unë ju falënderoj për besimin tuaj, ju falënderoj shumë për punën e mirë e të përbashkët që jemi duke bërë, e mira nuk ka fund, por jemi duke u munduar e përpjekur që të bëjmë punën më të mirë të mundshme.
Lavdi jetës dhe veprës së komandant Qamil Ilazit “Bardhit” dhe gjithë bashkëluftëtarëve të tjerë!
Lavdi dëshmorëve të lirisë!
Faleminderit shumë!
