Prishtinë, 7 mars 2014
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, i shoqëruar nga zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi dhe ministri i Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Ramë Buja dhe ministri i Financave, Besim Beqaj, ka marrë pjesë në ceremoninë e ndarjes së mirënjohjeve për mësimdhënësit e parë të Gjakovës.
Në ceremoninë që u mbajt në ndërtesën muze të shkollës së parë shqipe në Gjakovë, kryeministri Thaçi dhe bashkëpunëtorët e tij u pritën nga kryetarja e Komunës së Gjakovës, Mimoza Kusari-Lila.
Në Ditën e Mësuesit, 7 marsin, kryeministri Thaçi para mësimdhënësve të parë të Gjakovës, mbajti një fjalë rasti. Në përmbyllje të ceremonisë,
Pasi vlerësoi lartë kontributin e mësimdhënësve gjatë të gjitha periudhave historike nëpër të cilat ka kaluar vendi ynë, kryeministri Thaçi ka theksuar se arsimtarët tanë të nderuar kanë kultivuar dhe mbajtur ndezur ndjenjën patriotike dhe dëshirën për liri e pavarësi edhe në periudhat më të stuhishme të përballura nga populli ynë.
Në vazhdim të ceremonisë, kryeministri Thaçi, ministri Ramë Buja dhe kryetarja e Komunës së Gjakovës, Mimoza Kusari-Lila, ndanë mirënjohjet për mësimdhënësit e parë të Gjakovës.
Në manifestim, po ashtu kryetarja e komunës znj.Kusari-Lila nderoi kryeministrin Thaçi duke i dhuruar kompletin e veprave të poetit të mirënjohur kosovar, Ali Podrimja.
Në vazhdim po e japim të plotë fjalën e Kryeministrit:
E nderuara dhe shumë e respektuara kryetare e Gjakoves, Mimoza Kusari-Lila,
I nderuar zëvendëskryeminjistër Kuçi, ministër Buja,
E nderuar deputete Lama,
Të gjithë ju asamblistë,
Të nderuar ju punëtorë të arsimit, veteranë të arsimit,
Të gjithë ju që jeni prezentë sot këtu,
Më lejoni qëe në në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe në emrin tim t’ju uroj këtë ditë të madhe për shkollën shqipe.
Të nderuar Zonja dhe Zotërinj,
Është kënaqësi e veçantë që në këtë ditë të shënuar për arsimin ne ta festojmë atë duke ndarë mirënjohjen e shoqërisë ndaj arsimtarëve të nderuar, të cilët me punën e tyre fisnike e të palodhur, kanë përgatitur gjenerata të tëra për dije e aftësi. Ne ju falenderojmë nga zemra juve dhe gjithë arsimtarëve të tjerë shqiptarë kudo që janë për kontributin e tyre të pakrahasueshëm në jetën e këtij vendi.
Për shoqërinë tonë figura e mësuesit është veçanërisht e vlerësuar dhe e respektuar dhe plotësisht me të drejtë. Arsimtarët tanë të nderuar kanë kultivuar dhe mbajtur ndezur ndjenjën patriotike dhe dëshirën për liri e pavarësi edhe në periudhat më të stuhishme të përballura nga populli ynë.
Ne i falenderojmë arsimtarët tanë sepse ata kanë ditur që të punojnë me dashuri me nxënësit e studentët edhe në kushtet ekstreme të shtëpive private, duke pasur gjithë atë angazhim të jashtëzakonshëm, duke pasur parasysh gjithë atë sakrificë, por edhe vështirësitë që janë ballafaquar.
Anë e mbanë Kosovës ekzistonin më herët ende shkolla në kontinjerë dhe procesi mësimor me ndërrime. Sot kemi ndërtuar shkolla, objekte shkollore anë e kënd Kosovës dhe kemi një infrastrukturë shumë moderne.
Brenda një kohe të shkurtër ne ia dolëm që ta adresonim këtë mangësi që trashëguam, duke siguruar më në fund ambiente të përshtatshme shkollimi të pajisura mirë me materiale didaktike në ndihmë të mësuesve dhe nxënësve. Po ashtu, duke ditur rolin e çmuar që luan mësuesi në arsimin tonë ne e kemi pasur prioritet shtimin e motivimit material të tyre, duke rritur ndjeshëm rrogat gjatë pak viteve.
E nderuar kryetare Mimoza Kusari-Lila,
Të nderuar të pranishëm,
Ju uroj këtë ditë të madhe të arsimit shqip, gjithashtu më lejoni t’ju uroj edhe për 1 vjetorin e Universitetit të Gjakovës.
Urime, suksese!
