Prishtinë, 27 shkurt 2014
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi ka pritur sot në takim ministrin e Punëve të Jashtme të Malit të Zi, Igor Luksič.
Në takim është diskutuar për bashkëpunimin ndërshtetëror mes Kosovës dhe Malit të Zi, dhe për procesin e integrimit evropian të dy vendeve.
Kryeministri Hashim Thaçi në takim me shefin e diplomacisë malaziase vlerësoi lartë marrëdhëniet bilaterale mes Kosovës dhe Malit të Zi dhe theksoi se Qeveria e Kosovës është e gatshme që këto marrëdhënie të avancohen edhe më tej në të gjitha fushat e interesit të përbashkët.
Njohja e Republikës së Kosovës nga Mali i Zi në vitin 2008, dhe si rrjedhojë vendosja zyrtare e marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve, me hapjen e Ambasadës së Malit të Zi në Prishtinë dhe së shpejti me hapjen e Ambasadës së Kosovës në Podgoricë, dëshmojnë se marrëdhëniet midis Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi, janë shembull i mirë i bashkëpunimit ndërshtetëror – theksoi kryeministri Thaçi.
Në vazhdimësi, tani prioritet yni i përbashkët do të jetë bashkëpunimi dhe shkëmbimi i përvojave në rrugën e integrimit evropian mes dy vendeve, si dhe forcimi i bashkëpunimit politik, ekonomik, dhe socio-kulturor mes Kosovës dhe Malit të Zi – tha kryeministri Thaçi.
