Prishtinë, 31 janar 2014
Në përvjetorin e 17-të të rënies së komandantëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Zahir Pajaziti, Edmond Hoxha dhe Hakif Zejnullahu, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi ka bërë nderime dhe ka vendosur lule para shtatores së Heroit të Kosovës, komandantit Zahir Pajaziti në Prishtinë.
Në vazhdim po e japim të plotë deklaratën e Kryeministrit Thaçi:
Sot u bënë 17 vite të rënies së komandantëve të parë Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Zahirit, Edmondit, Hakifit, të bashkëluftëtarëve të mi dhe shumë bashkëluftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, 17 vite të rënies së madhe, për t’u ngritur të gjithë qytetarët e Kosovës në betejën për liri dhe pavarësi.
Sot, këta tre komandantë të UÇK-së, por edhe gjithë dëshmorët e lirisë, i nderon dhe kujton shteti i Kosovës, i nderon dhe kujton kombi shqiptar.
Të gjithë ndihemi krenar për sakrificën e tyre. Në të njëjtën kohë, çdo nderim yni pranë lapidarëve të tyre, është edhe marrje e energjive të reja për punë edhe më të mirë, për të vazhduar implementimin e vizionit tonë për t’u integruar sa më shpejt si shtet i pavarur dhe sovran në NATO dhe Bashkim Evropian.
