KOMUNIKATË PËR MEDIA


Image


Bruksel, 09 janar 2014

Delegacioni i Republikës së Kosovës i udhëhequr nga Zëvendëskryeministrja znj. Edita Tahiri dhe në përbërje znj. Mimoza Ahmetaj, Ambasadore e Kosovës në Bruksel dhe z. Besnik Osmani, Sekretar në Ministrinë e Pushtetit Lokal, gjatë pasdites së sotme kanë zhvilluar takime bilaterale me përfaqësuesit e BE-së të kryesuar nga Ana-Maria Boura.

Temë e bisedave ishte zbatimi i Marrëveshjes së Brukselit në harmoni me ligjet e Kosovës për çështjen e inaugurimit dhe funksionalizimit të organeve të reja komunale, me theks të veçantë katër komunat e pjesës veriore të Kosovës.

Pas takimit zëvendëskryeministrja Tahiri deklaroi se “takimi me përfaqësuesit e BE sot ka qenë i rëndësishëm, ne kemi marrë garancitë se BE mbështetë fuqishëm respektimin e ligjeve të Kosovës nga ana e organeve të reja komunale si në procesin e inaugurimit po ashtu edhe te funksionalizimit të tyre”. Nga ana e tyre, përfaqësuesit e BE-së kanë theksuar se “Marrëveshja e Brukselit është e qartë dhe mbështetet në ligjet e Kosovës, prandaj ashtu siç janë mbajtur zgjedhjet me ligjet e Kosovës duhet që edhe inaugurimi dhe funksionimi të behet në pajtim të plotë me to”.

BE po ashtu ka njoftuar se është në kontakt të vazhdueshëm me kryetarët e këtyre komunave si dhe gjatë pasdites kanë zhvilluar në Bruksel një takim me delegacionin e këtyre komunave te  kryesuar nga kryetari i Zveçanit, të cilëve BE-ja ua ka komunikuar qëndrimin e qartë se organet e reja komunale duhet t`i respektojnë ligjet e Kosovës gjate inaugurimit dhe konstituimit të tyre.

Nga ana tjetër delegacioni i Kosovës në takim me BE theksoi se “Qeveria e Kosovës është maksimalisht e angazhuar që procesi i konstituimit dhe funksionalizimit të komunave të reja të kompletohet në mbarë Kosovën sipas ligjit dhe Kushtetutës së Republikës së Kosovës” .

Duke vlerësuar edhe njëherë kontributin e rëndësishëm  që BE ka dhënë dhe po jep ne  konstituimin e organeve lokale, delegacioni i Kosovës vlerësoi qëndrimin e qartë të BE-së në mbështetje të ligjeve të Kosovës si dhe kërkoi vazhdimin e angazhimit të tyre në përfundimin e plotë të këtij procesi.

Më tutje, delegacioni i bëri me dije BE-në se në rast se do të ndodhë që të mos përfillen ligjet e Kosovës nga ana e ndonjë kryetari të zgjedhur apo anëtareve komunal atëherë Qeveria e Republikës së Kosovës do të ndërmerr masat adekuate ligjore duke i shpallur ato jolegale”.

Takimet me BE-në do të vazhdojnë edhe nesër për të përmbyllur këtë proces në mënyrë të duhur në harmoni me ligjet e Kosovës dhe Marrëveshjen e Brukselit.

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors