Prishtinë, 24 shtator 2013
Kryeministri Thaçi sot në Nju Jork, u takua me Zëvendës Sekretarin e Shtetit, z. William J. Burns. Në takim kryeministri Thaçi dhe Zëvendës Sekretari i Shtetit biseduan për situatën e përgjithshme në Kosovë dhe në rajon, duke u fokusuar në procesin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve në mes të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë.
Me këtë rast, kryeministri Thaçi theksoi rëndësinë e implementimit të marrëveshjeve të arritura në Bruksel pa vonesa duke shtuar se mbajtja e zgjedhjeve të para lokale në tërë territorin e Kosovës paraqet një moment kthese vendimtare për integrimin e serbëve të veriut ne institucionet e Republikës së Kosovës.
Në takim, kryeministri Thaçi, gjithashtu e njoftoi Zëvendës Sekretarin Burns, për përgatitjet e zgjedhjeve lokale, në mënyrë që këto zgjedhje të organizohen në mënyrë sa më transparente, dhe që të ketë dalje sa më të madhe të votuesve.
Kryeministri theksoi se “këto zgjedhje janë shumë të rëndësishme sepse për herë të parë organizohen në tërë territorin e Republikës së Kosovës, duke përfshirë edhe katër komunat veriore të Kosovës, ku do të marrin pjesë edhe partitë politike serbe si dhe për herë të parë do të marrin pjesë edhe qytetarët serb të pjesës veriore të Kosovës’. Këto zgjedhje do të sigurojnë integrimin e plotë të komunave veriore në sistemin kushtetues të Republikës së Kosovës.
Në takim gjithashtu u bisedua edhe për procesin e integrimeve euro-atlantike, me theks të veçantë për procesin e negocimit të MSA-së. Kryeministri Thaçi gjithashtu njoftoi Zëvendës Sekretarin Burns për procesin e rishikimit të Sektorit të Sigurisë, si dhe hapat që Kosova është duke i marrë për t’u anëtarësuar sa më shpejt në NATO.
Zëvendës Sekretari Burns, shprehu mbështetjen e madhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për dialogun në mes të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, si dhe rëndësinë e zbatimit në praktikë të marrëveshjeve të arritura në Bruksel.
