Prishtinë, 15 shtator 2013
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, i shoqëruar nga ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj, deputeti i Kuvendit të Kosovës, Enis Kervan dhe nga bashkëpunëtorë tjerë ka vizituar sot qytetin e Prizrenit.
Me këtë rast, Kryeministri Thaçi ka marrë pjesë në ceremoninë e përurimit të rrugës së re “Xhevat Berisha”, të ndërtuar në Lagjen e Trimave (ish-Lagja Tusuz) në Prizren, një rrugë moderne, me gjithë infrastrukturën e nevojshme, rrjetin energjetik, ndriçimin, ujësjellësin dhe kanalizimin, rrugë kjo me gjatësi 1.5 kilometra.
Pasi ka prerë shiritin e inaugurimit të rrugës së re, Kryeministri Thaçi së bashku me Kryetarin e Komunës së Prizrenit, Ramadan Muja dhe me bashkëpunëtorë tjerë ka përshkuar këmbë gjithë rrugën e re, si dhe është takuar me qytetarët e Lagjes së Trimave.
Në vazhdim, po e japim të plotë deklaratën e Kryeministrit Thaçi me rastin e përurimit të rrugës së re “Xhevat Berisha” në Lagjen e Trimave në Prizren:
“Për mua si kryeministër i Republikës së Kosovës është një kënaqësi e veçantë që të jem sot këtu bashkë me ministra, deputetë, me kryetarin e nderuar të Prizrenit, Ramadan Muja, që po marrin pjesë në ceremoninë e inaugurimit të një rruge tepër moderne, një rrugë që i ka munguar kësaj hapësire të qytetit të Prizrenit.
Gjendemi në Lagjen e Trimave, në inaugurimin e kësaj rruge, të shkollës së re, të kanalizimit, ujësjellësve, të marrim pjesë në inaugurimin e projekteve ku ka investuar Komuna e Prizrenit me mbështetjen e plotë edhe të Qeverisë së Republikës së Kosovës.
Jam sot këtu që të ndaj edhe gëzimin me qytetarët e kësaj lagjeje, të harruar nga qeveritë e mëhershme, por të rizgjuar me vendimmarrjen e kryetarit Ramadan Muja dhe me mbështetjen tonë edhe kjo lagje po modernizohet, po i jep kuptim qytetit të bukur të Prizrenit. Kjo është një lagje e njerëzve punëtorë, të urtë, trima dhe tani një lagje moderne e qytetit të Prizrenit.
Ndihem tepër mirë dhe krenar që këto ndryshime po ndodhin edhe në qytetin e bukur të Prizrenit. Qyteti i Prizrenit është njëri prej qyteteve ku më së tepërmi është investuar në 3-4 vitet e fundit. Mund të them se ka ndodhur ndryshim i madh nën udhëheqjen e kryetarit Ramadan Muja. Prandaj, e falënderoj në emër të Qeverisë së Kosovës dhe ndihem i nderuar me këtë mbështetje të qytetarëve të Prizrenit për këto projekte.
Qyteti i Prizrenit me rrethinë ka ndryshuar, sepse është investuar kudo, në Lagjen e Trimave, në qendër të qytetit, në çdo lagje të qytetit. Kanë ndodhur ndryshime e investime të fuqishme edhe në Zhur, Has, Anadrini, Zhupë. Pra, qëllimi, vizioni dhe objektivi ynë për Prizrenin europian po realizohet nën udhëheqjen e kryetarit Ramadan Muja.
Kanë ndodhur ndryshime të mëdha dhe kam besim të fuqishëm se në mandatin e ardhshëm katër vjeçar do të ndodhin ndryshime edhe më të mëdha. Në këtë drejtim, i nderuari kryetar Muja do ta keni mbështetjen tonë të plotë” – theksoi Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi.
**********************
Pas përurimit të rrugës “Xhevat Berisha”, po në Lagjen e Trimave, në një ceremoni të organizuar në oborrin e shkollës fillore “Xhevat Berisha”, Kryeministri Thaçi ka vënë gurthemelin e ndërtimit të monumentit të Heroit të Kosovës, Xhevat Berisha.
Duke iu drejtuar qytetarëve të mbledhur në këtë ceremoni, familjarëve të dëshmorëve, veteranëve, invalidëve të luftës dhe veprimtarëve të çështjes kombëtare, pikërisht në Ditën e dëshmorëve të komunës së Prizrenit, Kryeministri Thaçi mes tjerash ka thënë:
“Sot ndihemi tepër mirë që gjendem në mesin e familjarëve të dëshmorëve, invalidëve dhe veteranëve të luftës, në ditën e madhe për Prizrenin, në ditën e sakrificës, të heroizmit, në Ditën e dëshmorëve të Prizrenit. Sot qytetarët e Kosovës i nderojnë heronjtë e Kosovës, shteti i Kosovës e nderon sakrificën e heronjve të lirisë, veteranëve dhe invalidëve të luftës. Sot çdo qytetar i Prizrenit, i çdo lagjeje ndihet krenar me trimërinë, me vlerat më të larta të lirisë, që i ndërtuan dëshmorët e lirisë”.
Në vazhdim, Kryeministri Thaçi ka theksuar se “ne duhet vetëm të kujtojmë se ku ka qenë Kosova para 15 vitesh nën okupimin e Serbisë. Sot Kosova është vend i lirë dhe i pavarur, i njohur nga 101 shtete të ndryshme të botës. Sot Kosova është vend i mundësive të mëdha, ku çdo qytetar i Kosovës ndihet mirë dhe krenar për të arriturat e shtetit të Kosovës. Ndihen mirë dhe krenarë edhe aleatët tanë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian”.
Duke folur në Ditën e Dëshmoreve të Prizrenit, në ceremoninë e vënies së gurthemelit të monumentit të Heroit të Kosovës, Xhevat Berisha, Kryeministri Thaçi ka thënë se “sot ne rikujtojmë çdo dëshmor të lirisë të Komunës së Prizrenit, çdo dëshmor të lirisë anë e kënd Kosovës”.
“Neve padrejtësisht na ndanë për të jetuar në shumë shtete, por përpjekjet tona për liri nuk u ndalën kurrë. Përpjekjet tona një shekullore u kurorëzuan me projektin e shekullit të ri, projektin e qytetarëve të Kosovës për formimin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Prizreni dhe qytetarët e Prizrenit ishin ata që ndër të parët iu bashkuan rradhëve të UÇK-së. Të gjithë ju duhet të ndiheni krenarë për kontributin tuaj për çlirimin e Kosovës. Pa Prizrenin, pa rezistencën e Prizrenit, liria e Kosovës do të ishte e vonuar” – tha ish-udhëheqësi politik i UÇK-së, Kryeministri aktual i Qeverisë së Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi.
“Lagja e Trimave ishte lagja e rezistencës, lagja e sakrificës, ishte shtabi i UÇK-së, prandaj edhe ndryshimet pozitive që po ndodhin këtu dhe anë e kënd Prizrenit janë shembulli më i mirë i respektimit institucional të sakrificës së qytetarëve të kësaj ane për liri dhe pavarësi. Vetëm duke respektuar luftën që kemi zhvilluar, do të kemi një të ardhme të sigurtë. Dhe, ne gjithmonë do ta respektojmë sakrificën tonë, luftën tonë çlirimtare” – theksoi Kryeministri Thaçi në fjalën e tij të mbajtur para të pranishmëve që ishin mbledhur në Lagjen e Trimave në Prizren, në ceremoninë e vënies së gurthemelit për ndërtimin e monumentit të Heroit të Kosovës, Xhevat Berisha.
