Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, priti kryeministrin e Republikës së Shqipërisë, Edi Rama


Image


Image


Image


Image


Image


Image


Image


Image


Image


Image


Image

Prishtinë, 13 shtator 2013

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, priti sot kryeministrin e Republikës së Shqipërisë, Edi Rama.

Dy kryeministrat, përveç takimit Tête-à-tête, mbajtën edhe një takim bilateral mes dy kabineteve qeveritare, me qëllim të bashkërendimit dhe thellimit të bashkëpunimit qeveritar në mes të dy shteteve tona.

Gjatë vizitës së sotme të Kryeministrat Thaçi dhe Rama, i vlerësuan si të shkëlqyeshme marrëdhëniet në mes Kosovës dhe Shqipërisë dhe shprehën gatishmërinë që këto marrëdhënie të thellohen edhe më tutje, në të gjitha sferat.

Pas takimit të dy kryeministrat mbajtën një konferencë të përbashkët shtypi.

Në vazhdim po e japim fjalën e plotë të kryeministrit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi:

“Kam kënaqësinë e veçantë që si kryeministër i Republikës së Kosovës, të presim në Prishtinë, për të diskutuar për zhvillimet në Kosovë dhe Shqipëri, kryeministrin e Republikës së Shqipërisë, mikun, Edi Rama, të cilit në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës, në emër të qytetarëve të Kosovës, edhe njëherë i uroj zgjedhjen e tij kryeministër, me besimin e plotë të qytetarëve të Shqipërisë.

Natyrisht se do të jetë një mundësi e jashtëzakonshme, e re, e thellimit të bashkëpunimit bilateral, në mes të shtetit të Kosovës dhe Shqipërisë.

Ne diskutuam edhe në takimin e  përbashkët që kishim si dy kryeministra, gjithashtu edhe në nivel të ministrave përkatës që sot janë në ekipin e kryeministrit Rama dhe të Qeverisë së Republikës së Kosovës.

Ministrat do të kenë takime të veçanta secili me secilin gjatë tërë ditës, dhe ne i kemi inkurajuar, që marrëveshjet që janë në proces të përmbyllen sa më shpejt, natyrisht të hapet mundësia edhe e marrëveshjeve të reja.

Dhe mundësisht ato çështje që janë diskutuar edhe më herët të përmbyllen, por edhe të mbesin në gjysmë të rrugës por të konkretizohen.

E informova kryeministrin Rama, për njohjet që po i vijnë Republikës së Kosovës, por edhe domosdoshmërinë e njohjeve të reja. Kam besim të plotë se kryeministri Rama dhe ministria e Jashtme dhe kabineti qeveritar i Shqipërisë do të luajë rolin e rëndësishëm në sjelljen e njohjeve të reja për Kosovën.

Tanimë Kosova ka 101 njohje. Meritojmë dhe do të kemi njohje të reja.

Gjithashtu diskutuam edhe për marrëdhëniet në rajon. E informova kryeministrin Rama, për raportet e shkëlqyera si shtet i Kosovës me të gjitha vendet edhe me Maqedoninë edhe me Malin e Zi, gjithashtu edhe me vendet e tjera të rajonit.

Ndërsa, me theks të veçantë diskutuam dhe e informova kryeministrin Rama, për marrëveshjen në mes të shtetit të Kosovës dhe Serbisë të 19 prillit.

Kemi diskutuar edhe më herët dhe unë e falënderoj gjithë politikën e Shqipërisë, kryeministrin Rama, ish-kryeministrin Berisha, kryetarin e Parlamentit Meta, dhe gjithë spektrin politik në Shqipëri për mbështetjen që i kanë dhënë këtij procesi të rëndësishëm për Kosovës, pra atë të normalizimit të marrëdhënieve Kosovë-Serbi, me reflektime për paqen, stabilitetin dhe perspektiven evropiane rajonale.

Në të njëjtën kohë ne diskutuam edhe për  mundësitë më të mira të bashkëpunimit në aspektin ekonomik, të edukimit, në nivel të kulturës, në të gjitha sferat e bashkëpunimit institucional. Mendoj se ka hapësirë dhe mundësi që përvojat e mira të Kosovës dh Shqipërisë të barten te njëra tjetra, por edh të evitohen lëshimet dhe dobësitë që janë paraqitur qoftë në Prishtinë apo në Tiranë.

Të mësojmë prej përvojave të mira që të barten, ndërsa lëshimet dhe dobësitë të evitohen.

Kam besim të plotë se ne do të punojmë maksimalisht në frymën evropiane, do të punojmë maksimalisht për afirmimin e të drejtave të shqiptarëve në rajon, dhe kemi bashkëpunim të shkëlqyer me të gjithë liderët politik të shqiptarëve kudo që jetojnë, qoftë në Maqedoni, në Preshevë, qoftë në Mal të Zi.

Me një theks të veçantë diskutuam edhe për diasporën tonë, që jeton në Evropën Perëndimore dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ne do të kemi takime të veçanta së bashku me z. Rama, pasi do të kemi një vizitë në Nju Jork dhe vende tjera të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Me theks të veçantë diskutuam edhe rëndësinë që edhe shteti i Kosovës të kyçet në rrjetin e gazsjellësit Trans-Adriatik TAP, dhe mora zotimin nga kryeministri Rama se do të angazhohet edhe personalisht me ministrat përkatës që Kosova të jetë e kyçur.

Po ashtu, ramë dakord që të punohet në mënyrë më aktive edhe për përmbylljen e procesit të interkoneksionit  400 kilovatësh, pra interkoneksionit  energjetik në mes të shtetit të Kosovës dhe Shqipërisë. Kosova ka kryer të gjitha obligimet e veta, ka kohë. Besoj se edhe Shqipëria më në fund do t’i kryej obligimet e veta dhe do të kemi fillimin e këtij projekti shumë të rëndësishëm në mes të shtetit të Kosovës dhe Shqipërisë.

Unë kam besim të plotë në bashkëpunimin tonë, që do të jetë i shkëlqyer,  kam besim të plotë edhe si kryeministër, edhe si mik i z.Rama, por edhe qytetarët e Kosovës kanë besim në vizionin e tij, në qëllimin e tij, atë të Shqipërisë Evropiane, nën udhëheqjen e kryeministrit Edi Rama.

Ju faleminderit shumë për vizitën tuaj!”

*******************

Fjala e plotë Kryeministrit të Republikës së Shqipërisë, Edi Rama, në konferencën e përbashkët me Kryeministrin e Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi:

Faleminderit nga zemra z. Kryeministër.

Faleminderit të gjithë ju që keni ardhur për të ndjekur këtë konferencë të përbashkët, që është shumë emocionuese për mua vetë, dhe besoj njësoj edhe për të gjithë ekipin që bashkë me mua ka ardhur këtu në Prishtinë sot, për të çelur një kapitull të ri bashkëpunimi, dhe për ta çuar më tej procesin e një harmonizimi të interesave tona krejtësisht të përbashkëta, në funksion të mirëqenies së shqiptarëve këndej e andej kufirit.

I kam sjell kryeministrit të Kosovës përshëndetjet më të ngrohta të kryetarit të Kuvendit të Shqipërisë, dhe po ashtu edhe zotimin solemn të Aleancës për Shqipërinë Evropiane për të bërë gjithçka që nga ky bashkëpunim mund të përfitojnë gjithë shqiptarët, jo vetëm ata që jetojnë në Shqipëri dhe në Kosovë. Dhe, ky bashkëpunim të mund të përfitojë nga epoka e re që është çelur për rajonin, falë kurajës dhe falë lidershipit të kryeministrit dhe të aktorëve politik të Kosovës, me marrëveshjen e Kosovës me Serbinë.

Kjo është një marrëveshje që ka mbyllur përfundimisht historinë e përgjakshme dhe inercinë paralizuese të ish -Jugosllavisë dhe ka hapur para nesh faqen e një historie të re, që varet nga ne në radhë të parë, shqiptarët në Shqipëri dhe në Kosovë, se si do të shkruhet si një histori ku paqja do të sjell zhvillim ekonomik dhe social për të gjithë.

Kryeministri bëri një paraqitje të detajuar të bisedimeve dhe të objektivave, por ne kemi rënë dakord po ashtu që në nëntor të bëjmë mbledhjen e parë të përbashkët të të dy qeverive dhe të fillojmë procesin e bashkëqeverisjes strategjike mes Shqipërisë dhe Kosovës.

Që do të thotë se koha kur qëllimet e mira dhe objektivat e shkruara janë pasuar nga punë të lëna përgjysmë, do t’ia lënë vendin një kohe ku qëllimet, objektivat dhe detyrat janë të përcaktuara në mbledhjen e përbashkët të të dyja qeverive, dhe çdo ministër duhet të jap llogari përpara të dy qeverive, në mënyrë periodike, për ecurinë e projekteve, dhe për zbatimin e detyrave të marra bashkërisht.

Besoj se kjo risi do të sjell rezultate, dhe do të bëj të mundur që të dy qeveritë ta çojnë shumë më tutje bashkëpunimin mes tyre

Dhe, së fundi, dua të nënvizoj edhe ambicien tonë të përbashkët për të mos mbetur vetëm në dëgjim me Brukselin, por edhe për të qenë proaktiv në paraqitjen e projekteve të besueshme të zhvillimit, jo vetëm mes nesh por edhe me fqinjët.

Ne jemi të gatshëm të shtrijmë dorën e bashkëpunimit intensiv dhe afatgjatë të gjithëve, të gjithëve në këtë rajon, që vazhdon të mbetet akoma jashtë Evropës së bashkuar, por që kanë të gjitha mundësitë sot për t’iu afruar më shpejt Evropës së bashkuar, dhe e përsëris, falë marrëveshjes së Kosovës me Serbinë, si një moment historik për rajonin, dhe si një moment që i ka dhënë Kosovës, por i ka dhënë edhe gjithë shqiptarëve, edhe në Shqipëri, një kredibilitet të ri, në sytë e familjes evropiane, në sytë e botës demokratike dhe njëkohësisht ka hapur për rajonin një horizont tërësisht të ri.

Ne jemi këtu për të bërë çmos që këtë potencial të madh ta kthejmë në zhvillim, ta kthejmë në punësim, ta kthejmë në integrim social brenda hapësirës shqiptare, dhe në një integrim evropian për gjithë shqiptarët e rajonit.

Faleminderit!

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors