Bruksel, 3 korrik 2013
Në kuadër të takimeve për zbatimin e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve në mes të Republikës së Kosovës dhe Serbisë me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, delegacioni i kryesuar nga Zëvendëskryeministrja Edita Tahiri njëherit udhëheqëse e këtij dialogu është duke vazhduar bisedimet në Bruksel për çështjet e drejtësisë dhe sigurisë.
Në agjendën e takimeve për çështjet e drejtësisë ishin çështja e integrimit të individëve të interesuar nga komuniteti serb në pjesën veriore në institucionet gjyqësisë të Republikës së Kosovës. Pala jonë i ka qartësuar BE-së dhe palës tjetër procedurat dhe kriteret për të qenë pjesë e institucioneve gjyqësore të Republikës së Kosovës, duke theksuar se baza ligjore për këtë proces janë ligjet dhe Kushtetuta e Kosovës. Në këtë kuadër është potencuar se neni 26 i Ligjit për gjykatat saktëson qartë kualifikimet që kandidatët duhet ti plotësojnë duke përfshirë shtetësinë e Kosovës dhe përgatitjet akademike dhe profesionale. Po ashtu në këto takime pala serbe ka prezantuar vendimin e qeverisë në zbatim të marrëveshjes për ndalimin e pranimit të lëndëve të reja në gjykatat paralele duke filluar nga data 15 korrik 2013. Ky vendim i paraprinë vendimeve tjera që duhet ndërmarr nga Serbia për shuarjen e plotë të këtyre strukturave paralele dhe mbylljen e gjitha lokacioneve në të cilat ato kanë funksionuar, që duhet të marrë fund më 1 shtator.
Në kuadër të takimeve për sigurinë, në agjendë kanë qenë proceset e zhbërjes së strukturave paralele të policisë dhe integrimit i pjestarëve serb në Policinë e Kosovës. Në këtë drejtim është vlerësuar si përparim mbyllja e stacioneve ilegale policore në Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveqan si dhe pala serbe ka bërë të ditur se deri më 5 korrik 2013 do të mbyllen të gjitha zyrat e stacionit ilegal policor në pjesën veriore të qytetit të Mitrovicës. Gjithashtu në këto takime pala e Kosovës ka ngritur çështjen e shpërbërjes së plotë të ashtuquajturës “mbrojtje civile” dhe ka kërkuar largimin e agjencive ilegale serbe të inteligjencës.
Ndërsa sa i përket integrimit të individëve që duan të bëhen pjesë e Policisë së Kosovës pala jonë ka ritheksuar se lista e kandidatëve të interesuar për integrim në policinë e Kosovës duhet të dorëzohet më shpejtë, në mënyrë që procedurat dhe kriteret e integrimit të zhvillohen sipas afateve të parapara në konkluzionet e aprovuara në këtë Grup punues.
Sot po ashtu kanë filluar bisedimet për zgjedhjet me ndërmjetësimin e OSBE-së lidhur me plotësimin e obligimeve për zabtimin e marrëveshjes për normalizim.
Delegacioni i Republikës së Kosovës i kryesuar nga Zëvendëskryeministrja Edita Tahiri kishte këtë përbërje: Dren Zeka, Këshilltar kryesor politik i ZVKM Tahiri, ndërsa Grupi punues për çështjet e drejtësisë ishte ne përbërje të: Ismet Kabashi (kryesues i grupit punues), Enver Peci, Sali Mekaj, Arjeta Rexhaj, Driton Lajqi, Albert Avdiu dhe Ehat Miftaraj. Grupi punues për çështjet e sigurisë: Shpend Maxhuni (kryesues i grupit punues), Fisnik Rexhepi, Rashit Qalaj, Bardhyl Jashari dhe Elona Cecelia. Grupi punues për zgjedhjet: Valdete Daka (kryesuese e grupit punues), Abedin Mehmeti dhe Gazmir Raci.