Mbahet mbledhja e 136-të e Qeverisë së Republikës së Kosovës


Image


Image

Prishtinë, 26 qershor 2013

Qeveria e Republikës së Kosovës, e drejtuar nga kryeministri Hashim Thaçi, ka zhvilluar mbledhjen e saj të rregullt në të cilën ka aprovuar dokumente dhe vendime të fushës së veprimit të saj ligjorë dhe kushtetues.

Në hapje të mbledhjes Kryeministri Hashim Thaçi ka shprehur përkushtimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës për të vazhduar me agjendën e implementimit të Marrëveshjes së plotë të arritur me 19 prill 2013, Marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve mes shtetit të Kosovës dhe Serbisë, e arritur me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian dhe mbështetjen e plotë dhe të fuqishme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

“Nesër në Parlamentin e Kosovës do të miratohet Ligji për Ratifikimi e Marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve mes shtetit të Kosovës dhe Serbisë. Në këtë funksion dje jemi takuar me liderët politikë të Kosovës, dhe jemi dakorduar që të ratifikojmë këtë marrëveshje ndërshtetërore mes Kosovës dhe Serbisë, marrëveshje kjo që ndërlidhet drejtpërdrejt me perspektivën evropiane të Republikës së Kosovës, me perspektivën evropiane të rajonit, me reflektime pozitive për të gjitha vendet e rajonit dhe shoqërinë, me mesazhe të qarta për perspektivë euroatlantike për Kosovën dhe vendet tjera të rajonit” – ka thënë z.Thaçi.

“Ratifikimi do të jetë tanimë edhe më i lehtë, edhe për deputetët, sepse ajo marrëveshje, ai vendim i drejtë, tani reflektohet drejtpërdrejt në jetën e qytetarëve kudo në Kosovë, në veçanti në veri. Tani kur kjo marrëveshje ka filluar së implementuari, Kosova dhe institucionet e saj do t’i kryejnë obligimet që i kanë karshi kësaj marrëveshje. Policia e Kosovës, doganierët e Kosovës, kanë filluar të lëvizin lirshëm pa probleme në pikën kufitare Nr.1 dhe shumë shpejt edhe në pikën kufitare Nr.31. Ka filluar funksionimi i sistemit të Menaxhimit të Integruar të Kufirit dhe është zgjedhur edhe komandanti regjional i policisë për veri” – është shprehur kryeministri Thaçi.

“Gjithçka është e aranzhuar në atë mënyrë që të respektohet në plotësi Kushtetuta dhe ligjet e Kosovës. Ka filluar lëvizja e lirë, natyrisht se duhet të bëhet edhe më tepër. Do të shpërbëhen strukturat paralele. Qeveria e Serbisë ka marrë vendim për ndalimin e financimit të atyre strukturave. Ai përkushtim ka filluar të implementohet edhe në terren dhe të jap reflektimet e veta. Në të njëjtën kohë, ne si institucione të vendit i kemi bërë ftesë, gjithmonë duke u nisur nga përmbajtja e marrëveshjes së 19 prillit, OSBE-së për lehtësimin e organizimit dhe menaxhimit të zgjedhjeve në veri”- ka thënë kryeministri Thaçi.

Në takimin e djeshëm, të gjithë liderët kosovarë i kanë dhënë mbështetje që zgjedhjet lokale të mbahen më 3 nëntor. Disponimi i të gjithëve ka qenë që të mbaheshin më herët. Por, të gjithë jemi pajtuar që interesi i shtetit, interesi i shoqërisë kosovare është normalizimi i gjendjes në gjithë territorin e Republikës së Kosovës, integrimi i gjithë qytetarëve në shoqërinë kosovare, dhe mbi të gjitha organizimi i zgjedhjeve në të gjithë vendin në të njëjtën ditë, – ka theksuar kryeministri Thaçi.

“Falënderoj të gjithë liderët politikë kosovarë, pjesëmarrës në takimin e djeshëm, edhe në takim me ambasadorët e vendeve të Quint-it dhe përfaqësues të BE-së, që secili ka vënë interesat e shtetit dhe të qytetarëve mbi disponimet e agjendave tona partiake . Mendoj se marrëveshja, e cila do të ratifikohet nesër në Kuvendin e Kosovës, i ka hapur një rrugë të sigurt evropiane Kosovës dhe rajonit në përgjithësi. Ndërsa, tani Kosova edhe konkretisht është futur në binarë të integrimeve evropiane dhe ky proces është i pandalshëm” tha kryeministri Hashim Thaçi.

“Mesazh i qartë është edhe mbështetja për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit për Kosovën, ku Kosova trajtohet si shtet, si të gjitha shtetet tjera. Edhe pse pesë vende të Bashkimit Evropian nuk e kanë njohur Kosovën, sot të gjitha shtetet e Bashkimit Evropian e mbështesin të ardhmen konkrete evropiane të Republikës së Kosovës”, ka thënë kryeministri Hashim Thaçi në fjalën e tij të hyrjes në mbledhjen e sotme të kabineti qeveritar të Republikës së Kosovës.

Në mbledhje është aprovuar gjithashtu edhe Koncept-dokumenti për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Ngrohjen Qendrore, në përputhje me legjislacionin evropian për promovimin e shfrytëzimit të energjisë nga burimet e ripërtërishme.

Ministria e Drejtësisë ka propozuar për anëtarë të Këshillit Drejtues të Institutit Gjyqësorë të Kosovës nga Qeveria e Kosovës, z.Fekë Sadikajn , ndërsa Qeveria e Kosovës ka miratuar këtë propozim.

Bazuar në Ligjin për Shërbimin Civil dhe të Rregullores për Fushat e Përgjegjësisë Administrative të Zyrës së Kryeministrit dhe Ministrive, Ministria e Administratës Publike ka përgatitur Raportin vjetor për situatën e përgjithshme të Shërbimit Civil për vitin 2012. Qeveria ka miratuar raportin dhe të njëjtin e ka proceduar në Kuvendin e Kosovës. Raporti pasqyron zhvillimin strukturën gjinore, etnike dhe arsimore në Shërbimin Civil të Republikës së Kosovës.

Kabineti qeveritar ka miratuar ndryshimin dhe plotësimin e Planit të Dokumenteve Strategjike për vitin 2013, duke përfshirë në këtë plan edhe hartimin e Strategjisë për të drejtat e njeriut 2013-2017 dhe Strategjinë për bashkëpunimin e Qeverisë me shoqërinë civile.

Në mbledhjen e sotme të kabineti qeveritar është themeluar Këshilli i Turizmit të Kosovës në përbërje:

1.    Halil Bajrami – Ministria e Tregtisë dhe Industrisë; kryesues
2.    Leonora Shala – Ministria e Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë; anëtare
3.    Merita Agustini – Ministria e Kulturës Rinisë dhe Sportit; anëtare
4.    Sami Behrami – Ministria e Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor;           anëtar
5.    Jakup Berisha – Oda Ekonomike e Kosovës; anëtar
6.    Shqipe Arifaj – Asociacioni i Komunave të Kosovës; anëtare
7.    Hasan Krasniqi – ekspert i pavarur; anëtar

Ky këshill do të kryejë detyrat sipas Ligjit për turizmin dhe sipas rrethanave do të ofrojë informata shtesë dhe ekspertizë për institucionet relevante të Republikës së Kosovës për zhvillimin e turizmit në Kosovë.   

Me propozimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme, Qeveria e Republikës së Kosovës ka aprovuar buxhetin shtesë për funksionimin e Misionit ndërlidhës të Republikës së Kosovës në Beograd dhe për trajtimin e tij të veçantë si punë me shkallë të lartë të rrezikshmërisë.

Në funksion të realizimit të projekteve për interes publik, Qeveria e Republikës së Kosovës ka miratuar shpronësimet, për interes publik, i pronave të paluajtshme të pronarëve dhe zotëruesve të interesit të cilat preken nga ndërtimi i  rrugës Nacionale N9 në zonat kadastrale,  Balincë, Llazicë, Mleçan dhe Kijevë të Komunës së Malishevës.

Vendimi tjetër  i qeverisë është për shqyrtimin e mëtejmë të kërkesës për shpronësim, për interes publik, të  pronave të paluajtshme të pronarëve  dhe zotëruesve të interesit të  cilat preken nga ndërtimi i  Objektit Administrativ  dhe pjesëve përcjellëse për stërvitje dhe trajnime për nevoja të Agjencisë  për Menaxhimin e Emergjencave/Ministria e Punëve të Brendshme, Zona Kadastrale Hajvali dhe Çagllavicë të Komunës së Prishtinës.

Janë miratuar edhe shpronësimet dhe vlerësimet shtesë me interes publik të pronave të paluajtshme  të pronarëve dhe zotëruesve të interesit të cilat preken nga ndërtimi i Autostradës Vermicë-Merdar në zonat kadastrale në Fushë Kosovë dhe zona kadastrale Uglar të Komunës së Graçanicës.

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors