Prishtinë, 19 qershor 2013
Fjala e plotë e kryeministrit Thaçi:
I nderuari rektor Gashi
Të nderuar miq, ambasador Christopher Hill,
I nderuar ambasador Wolfgang Petritsch,
Mirë se keni ardhur në Republikën e Kosovës
Të nderuar miq
I nderuari zëvendëskryeministër Kuqi
Të nderuar ministra
Deputetë,
z. Haradinaj
Të nderuar pedagogë
E nderuara botë akademike
Të gjithë ju të pranishëm
Zonja dhe zotërinj,
Më lejoni që në emrin tim personal, dhe në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës, juve zonja dhe zotërinj, t’iu përshëndes.
Sot, jo vetëm Universiteti i Prishtinës, por edhe krejt Kosova, ka një ditë të veçantë. Pikërisht në këtë sallë shpallen “Doctor honoris causa” dy diplomatë të shquar, dy miq të mëdhenj të Kosovës, të paqes dhe stabilitetit në rajon, ambasadorët Christopher Hill dhe Wolfgang Petritsch.
Në emër të institucioneve të Kosovës dhe qytetarëve të Kosovës ju falënderoj për kontributin e jashtëzakonshëm dhe ju përgëzoj për këtë çmim meritor.
Para pesëmbëdhjetë vjetësh, ju, i nderuari Ambasador Petritsch, me të drejtë shprehnit brengën dhe shqetësimin tuaj për gjendjen në Kosovë.
Atëherë këtu kishte luftë, shkatërrim, zhvendosje të popullatës dhe Kosova, – siç shpreheshit ju – ngjante në tokë endacakësh.
Sot, kur ju jeni në mesin tonë, Kosova po shënon 14 vjetorin e çlirimit, ka hyrë në vitin e gjashtë të pavarësisë dhe është shtet i lirë, demokratik, i pavarur, sovran dhe e njohur nga rreth 100 shtete të botës.
Në këtë sublimim të fatit historik të Kosovës padyshim që ju keni një kontribut të jashtëzakonshëm, që qytetarët e saj të jenë të lirë, të qetë në shtëpitë e tyre, në punë, në jetë, me plot shpresë dhe besim për t’u bërë pjesë e botës prej nga vini ju – pjesë e familjes euroatlantike.
Të nderuar ambasadorë,
Të nderuar miq
Ëndrra e lirisë dhe pavarësisë së Kosovës është e lashtë, e natyrshme dhe e synuar për shekuj me radhë.
Sot, në këtë solemnitet, duhet ta rikujtojmë faktin se ky Universitet është institucioni në të cilin u ngritën kuadrot që përpunuan idetë dhe projektin e lirisë dhe pavarësisë së Kosovës.
Pra, ky Universitet krahas misionit edukativ, luajti rol historik, – krijoi themelet e shtetit më të ri të Evropës.
Por, rruga prej zanafillës deri te kurorëzimi i projektit të çlirimit të Kosovës ka qenë e vështirë, e gjatë dhe me sfida të panumërta.
Në vitet 1998, 1999, në vitet më të vështira të udhëtimit tonë drejt lirisë, ju të nderuar ambasadorë keni pasur fatin të merreni intensivisht me çështjen e Kosovës.
Kosova kishte kaluar rreth dy dekada nën trysni të vazhdueshme të një sundimi të huaj, që në fund mori përmasa të terrorit shtetëror, shkatërrimit sistematik, dëbimit masiv dhe akteve të gjenocidit.
Kosova kishte provuar të gjitha format e rezistencës qytetare, por ato nuk ishin të mjaftueshme për ta dëgjuar zërin e saj në arenën ndërkombëtare.
Kur doli në skenë Ushtria Çlirimtare e Kosovës, ju të nderuar ambasadorë dhe diplomacia e shteteve tuaja, e kuptuat më së miri të vërtetën e injorimit të Kosovës nga bashkësia ndërkombëtare. Këtij injorimi po i vinte fundi.
Nuk ka qenë e lehtë për ne, por as dhe për ju që të arrihet tek e vërteta e plotë, se kush ishte Ushtria Çlirimtare e Kosovës, kush ishin drejtuesit e saj dhe cilat ishin synimet dhe vizionet tona përfundimtare.
Ushtria Çlirimtare e Kosovës ishte vetë populli i Ksoovës.
Pavarësisht nga njohja e njëri – tjetrit vinte hap pas hapit, një gjë ishte e sigurt, Kosova ishte e vendosur në rrugën e saj drejt lirisë.
Dhe kjo rrugë, ky ideal, ky synim human, fisnik dhe civilizues nuk mund të dilte jashtë kornizës së interesit kombëtar, jashtë kërkesave fondamentale të qytetarëve për jetë, dinjitet, liri dhe rend demokratik.
Ishit Ju ambasador Christopher Hill, një diplomat i rryer dhe njohës i shkëlqyer i rrethanave në rajon, që në emër të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, i mbronit interesat e viktimave në territorin e ish Jugosllavisë. Punonit për arritjen e paqes.
Tashmë Kosova kishte hyrë në agjendën tuaj dhe Ju së bashku me ambasadorin Wolfgang Petritsch, që denjësisht përfaqësonte Bashkimin Evropian, u angazhuat intensivisht në gjetjen e rrugëve diplomatike për zgjidhjen e çështjes së Kosovës.
Ju ndër të parët u njohët nga afër me gjendjen në terren, me djegiet, shkatërrimet, shpërnguljet dhe krimet e policisë, ushtrisë dhe paramilitarëve të Serbisë së Millosheviqit.
Ju ndër të parët njohët nga afër rrethanat, idetë, disponimin dhe prirjet e politikës kosovare në vitet 1998, 1999.
Është meritë e juaja formësimi i idesë së bashkimit të spektrit politik shqiptar për të pasur një zë të bashkuar, një përfaqësim real të forcave politike të Kosovës.
Unë personalisht, sikur edhe të pranishëm të tjerë në këtë sallë, z. Shala, z. Syla, z. Buja, z. Bajrami, dhe të tjerë, ishim bashkërisht në Rambuje, dhe ndihemi krenar për bashkëpunimin tonë të ngushtë dhe të shkëlqyer, që u kurorëzua me nënshkrimin e Marrëveshjes mes palës kosovare dhe Bashkësisë ndërkombëtare.
Mirëbesimi, kredibilietit, serioziteti dhe qasja e juaj parimore ndaj forcave politike në Kosovë, e veçanërisht njohja, pranimi, bashkëpunimi dhe trajtimi i drejtë i UÇK-së, është padyshim një nga meritat më të mëdha të juve, të nderuar ambasadorë Hill dhe Petritsch.
Organizimi i Konferencës Ndërkombëtare të Rambujesë është një ndër të arriturat më të mëdha të deriatëhershme të politikës ndërkombëtare dhe asaj kosovare.
Për herë të parë në histori, Kosova përfaqësonte zërin e vet autentik në një konferencë në të cilën ishte jo objekt bisedimesh, por subjekt, i cili shqiptonte dhe mbronte interesat e veta.
Para kësaj konference unë dhe drejtues të tjerë të UÇK-së, ruajmë me respekt kujtimet e takimeve me ju ambasador Hill dhe me ju ambasador Petritsch.
Ne u takuam në zonat ku i kontrollonte UÇK-ja në Kosovë, u takuam në Vjenë, në Paris, gjithnjë duke ndërtuar raporte të mirëbesimit, respektit dhe thellimit të bashkëpunimit politik.
Roli juaj në Konferencën e Rambujesë është historik, ashtu si roli dhe diplomacia e shteteve që përfaqësonit ju.
Në thellim të mirëbesimit dhe bashkëpunimit me faktorin ndërkombëtar, pala kosovare nënshkroi Dokumentin e Rambujesë, e vetëdijshme edhe për kompromisin që bëri, ashtu siç e pranoni Ju z. Petritsch në librin “Rruga e gjatë në luftë”, se “një gjë e tillë kërkonte kapërcim të vetvetes dhe vendosmëri politike”.
Epilogu politik i Rambujesë krijoi mundësinë e fillimit të fushatës së bombardimit të caqeve ushtarake dhe policore serbe, duke bërë që për herë të parë në histori të intervenojë NATO në një mision humanitar.
Të nderuar ambasadorë,
Siç edhe e dini, këto ditë ne kemi arritur një Marrëveshje historike mes shtetit të Kosovës dhe Serbisë, marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, që është një marrëveshje e paqes, një marrëveshje kjo e arritur pas 100 viteve të konflikteve, të problemeve, armiqësisë dhe luftërave.
Problemi shqiptaro-serb ka qenë më i gjati, më i thelli dhe me gjakderdhjen më të madhe të 100 viteve të fundit.
Më në fund, duke u nisur nga përpjekjet tuaja para viteve 1997-98, për të arritur në Rambuje, konferenca e parë për Kosovën, për të vazhduar më pastaj në Vjenë, negociatat për statusin politik të Kosovës, mund të them lirisht se pa angazhimin tuaj personal, të nderuar ambasador Hill dhe Petrisch, pa konferencën në Rambuje, pa marrëveshjen e Vjenës, nuk do të ndodhte edhe Marrëveshja e paqes, marrëveshja për normalizimin e marrëdhënieve mes shtetit të Kosovës dhe Serbisë në Bruksel.
Prandaj ju jemi mirënjohës për qëllimin tuaj dhe për vizionin tuaj që para 15 vjetësh treguat synimin dhe vizionin se ku duhet të arrijë Kosova, pra pjesë e NATO-s dhe e Bashkimit Evropian.
Por, dëshiroj t’iu falënderoj në të njëjtën kohë për vizionin tuaj dhe për qëllimin tuaj, dhe ne kemi arritur edhe sot Marrëveshje, që edhe sot, këto ditë që po kalojmë, edhe ne, edhe Serbia, edhe Brukseli, edhe diplomatët në Washington, duhet të mësojnë nga puna juaj, sepse kur ne e nënshkruam marrëveshjen në Rambuje, ende pa u kthyer delegacioni kosovar, ju e filluat implementimin, filluan bombardimet e NATO-s kundër caqeve serbe.
Prandaj, implementimi është jetik në çdo marrëveshje politike, dhe kjo do të ndodh edhe tash.
Të nderuar ambasadorë
Koha vërtetoi drejtësinë e intervenimit të NATO-s.
Koha vërtetoi se angazhimi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, i Bashkimit Evropian dhe NATO-s bëri që Kosova të bëhet një rrëfim suksesi për bashkësinë ndërkombëtare.
Kosova me sukses kaloi periudhën e tranzicionit, duke pasur mbështetjen e Bashkësisë Ndërkombëtare.
Kosova ndërtoi institucionet lokale e qendrore, dhe vit pas viti përmbushi kriteret deri në fillimin e bisedimeve të Vjenës, që përfunduan me Pakon e Presidentit Ahtisaarit dhe shpalljen Kosovës shtet i pavarur dhe sovran, më 17 shkurt 2008.
Koha vërtetoi se çlirimi i Kosovës ishte akt historik, koha vërtetoi po ashtu se pavarësia e Kosovës ishte akt i drejtë juridik në plan kombëtar dhe atë ndërkombëtar, që prodhon stabilitet dhe fqinjësi të mirë.
Të nderuar ambasadorë
Duke u nisur nga marrëveshja në Rambuje dhe Vjenë, pala serbe dihet se refuzoi nënshkrimin e dokumenteve ndërkombëtare, tani në Bruksel ka pranuar për herë të parë, të hyjë në një fazë të re, të bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve në mes të shtetit të Kosovës dhe Serbisë.
Tani, Serbia pranon hapur se e njeh realitetin në Kosovë, ndërsa se kur do të ndodh njohja edhe de jure, natyrisht se kjo është në autoritetin e institucioneve të Serbisë.
Edhe Marrëveshja e 19 prillit është drejtpërdrejt kontribut i jashtëzakonshëm i udhëheqjes së Bashkimit Evropian, baroneshës Ashton dhe mbështetjes së fuqishme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Kjo Marrëveshje për Kosovën dhe për krejt rajonin, është marrëveshje evropiane, marrëveshje për rajonin pa kufi, për rajonin demokratizues, për rajonin euroatlantik. Prandaj, them me bindje të plotë se ne do të lëvizim përpara, do të kemi sukses, do ta konsolidojmë shtetin, do ta ndërtojmë shoqërinë shumetnike.
Dikush dhe mund të gris apo djeg ndonjë copë letër, por askush nuk do të mund ta gris apo djeg të ardhmen evropiane të qytetarëve të Kosovës.
Të nderuar ambasadorë Hill dhe Petrich,
Të nderuar miq,
Ju uroj për angazhimin tuaj dhe ju jam shumë mirënjohës dhe, ju falënderoj në emër të institucioneve të Republikës së Kosovës për kontributin tuaj të jashtëzakonshëm.
Ju jeni pjesë e çdo familjeje kosovare dhe sot, çdo familje kosovare ju uron dhe ju bekon juve, familjet tuaja, shtete tuaja, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, popullin dhe qeverinë amerikane, juve i nderuari ambasador z.Petrich, familjen tuaj, Austrinë dhe familjen madhe evropiane.
Ju faleminderit!