Zëvendëskryeministrja Edita Tahiri priti zëvendësministrin e Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Kreshnik Çollaku dhe studiuesin arbëresh, Antonio Belushin


Image


Prishtinë, 24 maj 2013

Zëvendëskryeministrja e Kosovës Edita Tahiri priti në takim zëvendësministrin e Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Kreshnik Çollaku, si dhe studiuesin dhe priftin e shquar arbëresh, Antonio Belushin, pjesëmarrës në manifestimet e javës së tolerancës në Republikën e Kosovës.

Në takim u bisedua për gjendjen dhe progresin e përgjithshëm në të dyja shtetet, Kosovë dhe Shqipëri, si dhe angazhimet e përbashkëta për të forcuar marrëdhëniet me arbëreshët e Italisë.

Zëvendëskryeministrja Tahiri theksoi me këtë rast se Qeveria e Kosovës është e përkushtuar për forcimin e mëtejmë të marrëdhënieve  me Shqipërinë në planin kombëtar dhe shtetëror,  si dhe për të jetësuar vizionin euro-atlantik, të cilës kombi shqiptar i takon tradicionalisht. Ajo po ashtu theksoi angazhimin e Qeverisë për të forcuar lidhjet me diasporën shqiptare me qëllim të ruajtjes së identitetit kombëtar duke potencuar veçmas se është impresive se si arbëreshët e Italisë kanë arritur të ruajnë dhe kultivojnë identitetin e tyre shqiptar ndër shekuj. “Gjaku i shprishur” me të cilin titullohet vepra e studiuesit dhe priftit të shquar arbëresh Antonio Belushit flet më së mirë se dinjitetit dhe integriteti i kombit shqiptar është mbrojtur fal origjinës dhe virtyteve të popullit shqiptar që janë të njohura universalisht”, theksoi zëvendëskryeministrja Tahiri.

Zëvendësministri i Jashtëm i Shqipërisë, Kreshnik Çollaku  theksoi se Shqipëria është e angazhuar për të ofruar gjithë përkrahjen për forcimin e shtetit të Kosovës, si në rrugën e integrimeve euro-atlantike ashtu edhe në rritjen e numrit të njohjeve.

Studiuesi dhe udhëheqësi shpirtëror i arbëresheve të Italisë, Antonio Belushi, theksoi rëndësinë e përkrahjes më të madhe për arbëreshët e Italisë nga ana e Shqipërisë dhe Kosovës, ndër të tjerash, përmes intensifikimit të bashkëpunimit dhe sidomos duke ofruar mundësi të shkollimit të të rinjve arbëreshë në Kosovë dhe Shqipëri.

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors