Familjarët e personave të zhdukur kërkojnë rishikim të mekanizmave dialogues për ndriçimin e fatit të personave të zhdukur


Image


Prishtinë, 22 maj 2013

Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur, ishte nikoqir i takimit, të familjarëve të personave të zhdukur me Shefin e Zyrës së Bashkimit Evropian/Përfaqësuesin Special të BE-së, z. Samuel Žbogar, të mbajtur dje më 21 maj 2013. Në takim të pranishëm ishin edhe përfaqësuesit e EULEX-it, Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq, Komisionit Ndërkombëtar për Persona të Zhdukur dhe përfaqësuesit e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara dhe Ambasadës së Zvicrës.

Në këtë takim të karakterit informues dhe konsultativ, familjarët  në pyetjet dhe çështjet e ngritura për diskutim, paraqitën para të pranishmëve shqetësimet e tyre në lidhje me ritmin e zbardhjes së fatit të personave të zhdukur, gjatë luftës në Kosovë. Familjarët kërkuan, që për shkak të rrethanave të krijuara, vështirësive dhe sfidave të paraqitura në këtë proces edhe ashtu mjaft kompleks, të shqyrtohet mundësia që dialogu ekzistues të avancohet dhe të përfshihet në kuadër të dialogut me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian. Si dhe, të vendosen mekanizma obligues dhe implementues dhe me afate kohore për zgjidhjen e çështjes së personave të zhdukur.

Përfaqësuesi Special i BE-së/Shefi i Zyrës së BE-së, z. Samuel Žbogar, theksoi se “ne do të dëshironim të shihnim përpjekje serioze të Prishtinës dhe Beogradit në lidhje me çështjen dhe sigurimin e informatave të reja, me qëllim të përkrahjes edhe të mekanizimeve dialogues të udhëhequr nga Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq”.

Kryesuesi i Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur, z. Prenkë Gjetaj, tha se “Qeveria e Kosovës, përmes mekanizmave të saj institucional vazhdon të bëjë çdo përpjekje për ndriçimin e fatit edhe të 1753 personave, që vazhdojnë të jenë të evidentuar si të zhdukur të luftës në Kosovë dhe që familjet e tyre të kenë një trajtim më të mirë ligjor e institucional”.  Kryesuesi Gjetaj, gjithashtu theksoI se gjatë dialogut në Bruksel, i cili po zhvillohet me ndërmjetësimin e BE-së, Kryeministri i Republikës së Kosovës disa herë e ka ngritur çështjen e ndriçimit të fatit të personave te zhdukur.

Qeveria e Republikës së Kosovës, në bashkëpunim me të gjithë partnerët vendorë e ndërkombëtar, mbetet e përkushtuar në angazhimin e saj për zgjidhjen sa më parë të çështjes se personave te zhdukur. Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur, në respektim edhe të kërkesave të familjeve të personave të zhdukur dhe legjislacionit në fuqi, përkrahë punën profesionale të ekspertëve vendor dhe atyre të EULEX-it, në kuadër të Departamentit të Mjekësisë Ligjore, në identifikimin dhe ndriçimin e fatit të të gjithë personave të zhdukur

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors