Prishtinë, 27 nëntor 2012
Qeveria e Republikës së Kosovës shpreh keqardhje për anulimin e ceremonisë së përurimit të Autoudhës së Kombit, sot në orën 10:00, që ishte edhe moment i shënimit të 100 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë.
Anulimi ndodhi për shkak të ndërhyrjes së një grupi qytetarësh të pandërgjegjshëm, që demoluan vendin ku duhej të mbahej ceremonia.
Qeveria e Republikës së Kosovës falënderon qytetarët e shumtë, që kanë ardhur për të festuar, në veçanti falënderon dhe u kërkon mirëkuptim për ndërprerjen e ceremonisë, Kryeministrit të Shqipërisë, Sali Berisha, Presidentes Jahjaga, ambasadores amerikane në Prishtinë, Jacobson, ambasadores e Turqisë në Prishtinë, Ozan dhe shumë personaliteteve tjera vendore dhe ndërkombëtare, që ishte paraparë të mbanin fjalë rasti në këtë ceremoni.
Qeveria konsideron se është kohë feste kombëtare dhe secili duhej dhe duhet të jemi të përmbajtur që ta ruajmë këtë atmosferë festive.
Qeveria e Republikës së Kosovës uron qytetarë e Kosovës për hapjen e Autoudhës së Kombit Prishtinë-Tiranë, kësaj vepre me rëndësi infrastrukturore, por edhe të rëndësisë së zhvillimit dhe emancipimit kombëtar.
Ta gëzojnë qytetarët me fat këtë rrugë dhe rrugëtimin tonë kombëtar në shekullin e ri të pavarësisë kombëtare dhe integrimeve euroatlantike.
