Prishtinë, 07 nëntor 2012
Zëvendëskryeministrja e Kosovës Edita Tahiri priti sot ndihmësen e Presidentit të Egjiptit, Pakinam Rachad El Sharkaëy, në të cilin takim u shpreh kënaqësia e dyanshme për forcimin e marrëdhënieve mes dy vendeve, dhe u vlerësua se liria demokracia janë vlera për të cilat angazhohen të dyja vendet.
Zëvendëskryeministrja Tahiri uroi ndihmësen e Presidentit të Egjiptit për revolucioni e suksesshëm demokratik që ka ndodhur në vendin e tyre duke uruar për përparime të reja. Më tej ajo foli për proceset zhvillimit dhe forcimit të shtetit të ri të Kosovës si dhe avancimin e perspektivës euro-atlantike. Me këtë rast, zëvendëskryeministrja Tahiri kërkoi njohjen e shtetit të Kosovës nga Egjipti, duke theksuar se kjo do të kontribuonte në të mirë të paqes dhe stabilitetit rajonal.
Znj. Pakinam Rachad El Sharkaëy tha se Egjipti seriozisht është duke shqyrtuar mundësinë e njohjes së pavarësisë së Kosovën, në kuadër të ridefinimit të politikës së jashtme të vendit të sajë që është në proces e sipër.
Në këtë takim u shpreh përkushtimi i përbashkët për bashkëpunim në të gjitha fushat e interesit të përbashkët.
