Zyra e Kryeministrit

Qeveria e Kosovës miratoi Projektligjin për pagat

3 Shtator, 2018

Mbledhja e 63-të e Qeverisë

Prishtinë, 3 shtator 2018

 

Tri projektligjet tashmë të identifikuara si të rëndësishme për procesin e reformës së administratës publike, kanë marrë miratimin e kabinetit qeveritar në mbledhjen e sotme. Projektligji për pagat në sektorin publik, Projektligji për zyrtarët publikë dhe Projektligji për organizimin e administratës shtetërore dhe të agjencive të pavarura, janë përgatitur për një kohë të gjatë nga ekspertët dhe pritet të rregullojnë funksionimin dhe organizimin e administratës publike në Kosovës.

–          Projektligji për pagat në sektorin publik përcakton sistemin e pagave dhe shpërblimeve për zyrtarët dhe funksionarët publikë, që paguhen nga buxheti i shtetit dhe rregullat për përcaktimin e pagave të punonjësve të ndërmarrjeve publike në Kosovë.

–          Projektligji për zyrtarët publikë krijon kornizën ligjore për punësimin e zyrtarëve publikë në institucionet e Republikës së Kosovës, bazuar në meritë, integritet moral, paanësi dhe qëndrueshmëri.

–          Projektligji për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore dhe agjencive të pavarura  përcakton rregullat e organizimit dhe funksionimit të institucioneve të administratës shtetërore dhe krijimin e një kuadri koherent ligjor për themelimin dhe performancën e institucioneve shtetërore dhe të agjencive të pavarura të themeluara nga Kuvendi i Kosovës.

Kryeministri e ka vlerësuar këtë si sukses të Kosovës dhe përmbushje të Agjendës së Reformave Evropiane. Kosova do të bëhet me ligj që rregullon pagesën e të gjithë nëpunësve publik.

Qeveria e Republikës së Kosovës ka emëruar ekipin negociator në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve në mes të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë. Në këtë dialog, Qeveria e Republikës së Kosovës do të përfaqësohet me këtë ekip negociator:

1.      Fatmir LIMAJ – Kryesues;

2.      Enver HOXHAJ – Zëvendës kryesues;

3.      Behxhet PACOLLI, anëtar;

4.      Dardan GASHI, anëtar;

5.      Mahir YAGCILAR, anëtar.

6.      Avni ARIFI, anëtar;

Po ashtu në këtë ekip rezervohen vendet për përfaqësuesit e opozitës:

1.      Përfaqësues nga LDK;

2.      Përfaqësues nga VV;

3.      Përfaqësues nga PSD;

4.      Ekspert nga Shoqëria Civile.

Kryeministri e ka vlerësuar se ky është një ekip përfaqësues politik i koalicionit qeverisës por edhe një ekip që do të prezantojë përgjegjësitë qeveritare.

Ky vendim i Qeverisë do të dërgohet në Kuvendin e Republikën e Kosovës për aprovim. Në lidhje me këtë kryeministri ka thënë se do të kërkojë nga Kuvendi një seancë urgjente për diskutimin dhe aprovimin e ekipit dhe platformës së negociatave të Kosovës në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.

Projektligji për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për Agjencinë Kosovare për Krahasimin dhe Verifikimin e Pronës ka marrë aprovimin e Qeverisë në mbledhjen e sotme. Projektligji është hartuar me qëllim të adresimit të të gjeturave nga ana e Avokatit të Popullit si dhe përmbushjen e obligimeve të dala nga Strategjia Kombëtare për të drejtat pronësore për adresim të informalitetit në shkallë të gjerë.

Në mbledhjen e sotme Qeveria e Republikës së Kosovës, në pajtim me përfundimet e Kuvendit të Republikës së Kosovës ka dhënë mendimin për Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Festat Zyrtare dhe Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Kodit të proceduarës penale. Për Projektligjin për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për Festat Zyrtare mendimi i Qeverisë është se Projektligji duhet të bëjë ndarjen e qartë të Festave Zyrtare me Festat Memoriale, ndërsa për Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Kodit të Procedurës Penale thuhet se propozimet janë të panevojshme në këtë fazë.

Me vendim të miratuar nga Qeveria e Kosovës, me nga një mijë euro janë përkrahur financiarisht 25 shoqata të familjeve të personave të zhdukur. Përkrahja u dedikohet aktiviteteve të këtyre shoqatave në shënimin e ditëve të veçanta dhe funksionimin e tyre. Ndërsa 20 mijë e 400 euro janë ndarë për rehabilitimin e personave me aftësi të kufizuara.

Qeveria ka diskutuar dhe miratuar Planin e punës së Zyrës së koordinatorit nacional për kulturë, rini dhe sport për periudhën korrik 2018-qershor 2019. Plani është dizajnuar me fokus për implementimin e projekteve të parapara Programin Nacional për rininë. Programi mbështetë në tri programe kryesore, që janë: gara në dituri; gara në kreativitet dhe gara në sport.

Qeveria e Kosovës i ka dhënë aprovimin Projektligjit për Ratifikimin e marrëveshjes për financim midis Republikës së Kosovës dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim për projektin e ekonomisë digjitale të Kosovës dhe ka ndarë 200 mijë euro për aktivitetet dhe nevojat e implementimit të Programit Nacional për Rininë për vitin 2018.

Me qëllim të realizimit të interesit publik përmes shpronësimit të pronave të paluajtshme Kabineti qeveritar ka miratuar vendimet:

–          Vendimi përfundimtar për shpronësimin e pronave që preken nga realizimi i projektit për shndërrimin në Shtëpi Muze “Ukshin Hoti” në Krushë të Madhe.

–          Vendimin preliminar për shpronësimin  e pronave të paluajtshme që preken nga realizimi i projektit “Zona e veçantë ekonomike amerikane” në Komunën e Gjakovës.

–          Vendimin preliminar për shpronësimin për interes publik të pronës së paluajtshme të objektit afarist, ish-Barnatorja e qytetit Prishtinë, për nevoja të akomodimit të institucioneve shtetërore të Republikës së Kosovës;

–          Vendimi për shqyrtim të mëtejmë të kërkesës për shpronësim të pronave të paluajtshme që preken nga ndërtimi i Autostradës Prishtinë-Hani i Elezit, në zonat kadastrale të komunave Graçanicë, Lipjan, Ferizaj, Kaçanik dhe Hani i Elezit.

–          Vendimi për shqyrtim të mëtejmë të kërkesës për shpronësim për interes publik të pronave që preken nga ushtrimi i aktivitetit minerar nga Kompania BISEK-sh.p.k nga Polonia, në zonat kadastrale Dubovc dhe Galicë të Komunës së Vushtrrisë.

Kabineti qeveritar në mbledhjen e sotme ka miratuar Koncept dokumentin për borxhin shtetëror që ka analizuar situatën aktuale në këtë fushë dhe ka rekomanduar përgatitjen e ligjit të ri për borxhin shtetëror i cili do të përcaktojë qartë procedurat, institucionet dhe autorizimet e institucioneve përgjegjëse, ndarjen e përgjegjësive dhe i cili i siguron nivelit qendror kontrollin e cilësisë dhe menaxhimit të nevojshëm të borxhit shtetëror.

Qeveria ka miratuar edhe Koncept dokumentin për fushën e bashkëpunimit juridik ndërkombëtar në çështjet civile.

Ministri i Administratës Publike, Mahir Yagcilar ka prezantuar kërkesat për përjashtim nga procedurat e Ligjit për Prokurim Publik për sigurimin e pajisjeve për nevoja të Agjencisë Kosovare për Inteligjencë dhe të pajisjeve të Agjencisë së Shoqërisë së Informacionit për sigurinë kibernetike në institucionet e Republikës së Kosovës.

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, ka informuar kabinetin me procesin e realizimit të projektit për ndërtimin e termocentralit të ri “Kosova e Re”.

Ministri i Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi, ka propozuar ndarjen e mjeteve financiare në vlerë prej 100 mijë euro të institucionit për arsimin e nxënësve me shkallë të lartë të inteligjencës, Institutit ATOM, propozim ky që u miratua nga Qeveria.

 

Last modified: 3 Shtator, 2018

Comments are closed.