Prishtinë, 03 nëntor 2012
Kryeministri i Kosovë s Hashim Thaçi dhe ministri i Infrastrukturës, Fehmi Mujota inspektuan nga afër zhvillimin e punimeve, në segmentin e pestë të Autostradës Vërmicë – Merdar.
Kryeministri Thaçi u shpreh se është i kënaqur me punimet e kryera deri tash.
“Është një kënaqësi e veçantë që të inspektohen punimet në fazën finale të pjesës 60 kilometra nga Vermica deri në Gjurgjicë, që kjo autostradë po lidhet me magjistralen Prishtinë-Pejë. Në këtë projekt siç po shihet është dukë u bërë një punë e mrekullueshme. Kjo pra është Kosova e re, Kosova evropiane, Kosova zhvillimore e krijimit të vendeve të reja të punës. Ky është shteti ynë i ri, shteti modern, shteti i perspektivës euroatlantike.
Kryeministri tha se ky projekt do të vazhdojë në drejtimin e nisur dhe falënderoi konzorciumin “Bechtel &Enka “ për punën që po e bëjnë.
“Projekti i Autostradës është projekti i ëndrrave të qytetarëve të Kosovës i cili tashmë po bëhet realitet. Qytetarët e vendit tonë do të lëvizin sikur nëpër rrugët evropiane. Me përfundimin e kësaj autostrade, ne jemi duke punuar në fillimin e punimeve të autostradës tjetër të re e cila do të lidhë Prishtinën dhe Shkupin”, theksoi kryeministri Thaçi.
Ndërsa, ministri i Infrastrukturës, Fehmi Mujota, tha se para një viti, Qeveria e Kosovës premtoi se më 27 nëntor do të përfundojnë punimet në segmentin e pestë dhe se do të bëhet lidhja e kësaj autostrade me magjistralen Prishtinë-Pejë. Tashmë këto punime janë krejtësisht në fazën finale, ne jemi të kënaqur me dinamikën dhe realizimin e këtyre punimeve, dhe mund të them se këto punime po kryhen para afatit të paraparë.
