Kryeministri Thaçi është takuar me Baroneshën Ashton dhe kryeministrin e Serbisë, Ivica Dacic


Image

Bruksel,  19 tetor 2012 – Kryeministri i Republikës së Kosovës,  Hashim Thaçi, sot është takuar me Baroneshën Catherine Ashton, njëherit Përfaqësuesen e Lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri të BE-së.
 
Kryeministri Thaçi në takim ka theksuar rëndësinë e avansimit të agjendës së integrimeve evropiane të Republikës së Kosovës. Kryeministri Thaçi ka theksuar se Kosova është e përkushtuar për të përmbushur të gjitha kriteret dhe detyrat që dalin nga ky proces, duke përfshirë edhe normalizimin e marrëdhënieve ndërshtetërore në mes të Republikës së Kosovës dhe Serbisë si dy shtete të pavarura, në kuadër të fqinjësisë së mirë sipas standardeve evropiane.
 
Në Bruksel, kryeministri Thaçi pas takimit me Përfaqësuesen e Lartë për Politikë të Jashtme, Baroneshën Ashton është takuar me kryeministrin e Republikës së Serbisë, Ivica Dacic. Takimi në mes të kryeministrit Thaçi dhe kryeministrit Daçiç u bë me ndërmjetesimin e Baroneshës Ashton, e cila gjithashtu ishte në takim.
 
Takimi u zhvillua me qëllim të vazhdimit të dialogut të facilituar nga BE-ja. Të gjitha palët në takim janë pajtuar dhe kanë shprehur përkushtimin që dialogu për normalizimin e marrëdhënieve në mes të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë do të vazhdoj.
 
Takimi në mes të kryeministrit Thaçi dhe kryeministrit Daçiç me ndërmjetësimin e Baroneshës Ashton është një kapitull i ri për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy shteteve sovrane. Me këtë rast kryeministri Thaçi theksoi se “ky proces, patjetër që do e përshpejtoj integrimin e dy shteteve në BE dhe do të jetë në shërbim  të paqes dhe stabilitetit në rajon.”