Kryeministri Hashim Thaçi: Integrimi i Kosovës në BE nuk është opsion, integrimi i Kosovës në BE është qëllimi ynë, vizioni ynë


Image


Image


Image


Image

Prishtinë, 12 tetor 2012

Kryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës,Hashim Thaçi priti në takim komisionerin evropian për zgjerim, Stefan Fule.  Në takim është biseduar për Dokumentin e Studimit të Fizibilitetit për Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit në mes të Bashkimit Evropian dhe Kosovës, i cili është publikuar të mërkurën nga ana e Komisionit Evropian.

Pas takimit, kryeministri Hashim Thaçi dhe komisioneri Stefan Fule, janë prononcuar para mediave. Në vijim po japim të plotë deklaratën e kryeministrit Hashim Thaçi dhënë para gazetarëve, pas takimit të zhvilluar me komisionerin Stefan Fule.

“Pata nderin dhe kënaqësinë e veçantë që sot të takoj, dy ditë pas publikimit të studimit të fizibilitetit, komisionerin për zgjerim, Stefan Fule.

I nderuar Komisioner,

Dua t’ju falënderoj në emër të qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe institucioneve të saj për angazhimin tuaj personal në përafrimin e Kosovës dhe rajonit në BE.

Jam i vetëdijshëm që kjo nuk është aspak rrugë e lehtë, jo e shkurtër, por do të vazhdojmë të kultivojmë shpirtin evropian, do të vazhdojmë të respektojmë kriteret dhe standardet e nevojshme demokratike.

Prandaj, ju falënderoj për përkushtimin dhe energjinë tuaj që edhe Kosova të përafrohet sa më shpejt në Bashkimin Evropian.

Dokumenti i studimit të fizibilitetit ishte dokument historik për Kosovën pasi që është dokumenti i parë në relacionet shteti i Kosovës me BE-në.

Integrimi i Kosovës në BE nuk është opsion, nuk është ndonjë luks. Integrimi i Kosovës në BE është qëllimi ynë, vizioni ynë.

Unë ju siguroj i nderuari Komisioner, që Kosova do të prodhojë argumente që qëndrueshme dhe të mjaftueshme për ju, në mënyrë që ta shtyni agjendën tonë evropiane përpara.

Ne jemi të bindur se për pak muaj ne do t’i përmbushim kriteret afatshkurtra.

Reformat e shumta demokratike, lufta kundër korrupsionit, krimit të organizuar, trafiqeve, zhvillimi i qëndrueshëm ekonomik, reforma e administratës publike, mbrojtja dhe kultivimi i trashëgimisë kulturore, të drejtat e komuniteteve, janë fusha që do të koncentrohemi për të punuar maksimalisht.

Kosova ka një konsensus të plotë politik dhe etnik për të ardhmen evropiane.

Ne jemi shumë të vetëdijshëm se reformat nuk janë të lehta, nuk janë edhe gjithmonë shumë populiste, por si kryeministër i Kosovës, Qeveria e Kosovës është e zotuar që të vazhdojë këmbëngulsishtë të punojë.

Kosova ka qenë e gatshme, është e gatshme sot që të hyjë në marrëdhënie kontratuale me Bashkimin Evropian.

Po ashtu, ju siguroj z.Komisioner, që jemi të bindur që dialogu është mënyra e vetme për të ecur përpara.

Kosova ka ndërtuar fqinjësi të mirë me të gjitha vendet e rajonit. Kosova është e gatshme për normalizimin e marrëdhënieve edhe me Serbinë.

Evropianizimi i rajonit duhet të ndodhë para integrimit tonë në BE.

Ne pajtohemi plotësisht me mesazhet e qarta që erdhën nga Brukseli ditëve të fundit, që evropianizimi i rajonit nënkupton fqinjësinë e mirë mes gjitha vendeve dhe popujve tanë.

Kosova dhe Serbia duhet të ecin përpara në rrugën evropiane, duke ia lehtësuar punën njëra-tjetrës dhe jo duke e penguar.

Pra, ne nuk do të mbajmë peng njëra-tjetrën dhe Kosova është e gatshme për të ardhmen evropiane dhe fqinjësisë së mirë me të gjitha vendet e rajonit”.

Edhe komisioneri Fule ka deklaruar para mediave se ky është një hap i madh për Kosovës në rrugën e saj të zgjedhur për në Bashkimin Evropian. Studimi konfirmon se nuk ka ndonjë pengesë ligjore për të përfunduar Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit mes Kosovës dhe BE-së, dhe Kosova është shumë e gatshme për të hapur negociatat për këtë Marrëveshje.

“Nëse keni konsensus të fortë dhe punoni seriozisht, besoj se do të mund të filloni negociatat në pjesën e parë të vitit të ardhshëm”, ka thënë komisioneri Stefan Fule dhe ka theksuar se “Rruga e Kosovës drejt BE-së nuk varet nga ne në BE, varet ekskluzivisht nga puna juaj në reforma dhe po ashtu njëjtë edhe në aftësinë tuaj për të ndërtuar një konsensus të fortë në shoqërinë kosovare”.

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors