Zëvendëskryeministrja Edita Tahiri takoi ministren e Punëve të Jashtme të Kroacisë, Vesna Pusic


Image

Prishtinë, 05.10.2012

Zëvendëskryeministrja e Republikës së Kosovës, Edita Tahiri takoi sot ministren e Punëve të Jashtme të Kroacisë, Vesna Pusic në kuadër të Samitit të Gruas që po mbahet në Prishtinë.

Gjatë këtij takimi u vlerësuan marrëdhëniet e shkëlqyeshme mes Kosovës dhe Kroacisë si dhe u shpreh gatishmëria e përbashkët për bashkëpunim edhe më të madh në të ardhmen në të gjitha fushat e interesit të ndërsjellë.

Zëvendëskryeministrja Tahiri foli për  arritjet e shtetit të Kosovës në fushën e reformave dhe të përparimit të shtetit duke thënë se vizioni ynë është një Kosovë euroatlantike dhe për këtë qeveria është e përkushtuar plotësisht. Prioritet tona janë sundimi i ligjit, zhvillimi ekonomik, arsimi dhe mirëqenia për të gjithë qytetarët tanë, shtoi zëvendëskryeministrja Tahiri.
 
Nga ana tjetër, ministrja e Jashtme Pusic uroi Kosovën për sukseset dhe në veçanti për përfundimin e mbikëqyrjes ndërkombëtare duke e vlerësuar si sukses shumë të madh të shtetit të Kosovës.  Gjithashtu u vlerësua se Kosova po ndërton një shtet demokratik dhe prosperues  duke kontribuar për paqe dhe stabilitet në rajon. Ajo tha se Kroacia e përkrah perspektivën euroatlantike të Kosovës dhe shprehu gatishmëri për këmbimin e përvojave mes dy vendeve në këtë drejtim.

Të dy bashkëbisedueset vlerësuan rëndësinë e bashkëpunimit rajonal, duke theksuar se është përgjegjësi e shteteve të rajonit të bëjnë më shumë për një rajon më paqësor dhe më  stabil, i cili do të respektohet nga bashkësia ndërkombëtare.

Zëvendëskryeministrja Tahiri dhe ministrja Pusic thanë se komuniteti kroat që jeton në Kosovë dhe ai shqiptar në Kroaci janë një urë ndërlidhëse mes dy vendeve.

 

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors