Zëvendëskryeministrja Edita Tahiri takoi Raportuesen për Kosovën në Parlamentin Evropian znj. Ulrike Lunacek


Image

Bruksel 24 nëntor 2011

Zëvendëskryeministrja Edita Tahiri njehërit udhëheqëse e delegacionit të Kosovës në dialogun teknik gjatë qëndrimit në Bruksel ka takuar znj. Ulrike Lunacek, raportuese për Kosovën në Parlamentin Evropian,  me të cilën ka biseduar për zhvillimet e fundit politike dhe për rrjedhat e raundit të shtatë të dialogut teknik.

Në këtë takim Zëvendëskryeministrja Tahiri ka folur për përkushtimin e Qeverisë së Kosovës për të përmbushur obligimet ndërkombëtare të Kosovës, të fqinjësinë e mirë si një parim thelbësor të BE-së. Ndërkaq ka vlerësuar domosdoshmërinë e zbatimin e plotë të marrëveshjeve të arritura deri më tash në dialogun teknik si dhe për arritjen e marrëveshjeve të reja.

Znj. Tahiri tha se Kosova kërkon nga BE që Serbisë ti bëhet e qartë se duhet të largohet nga ndërhyrjet ilegale në Kosovë përmes shuarjes se strukturave paralele. Ajo tha se Qeveria e Kosovës është e përkushtuar në shtrirjen e sovranitetit, rendit dhe ligjit në tërë territorin e vendit dhe rikonfirmoi gatishmërinë për demokratizimin e pjesës veriore të Kosovës duke zhvilluar zgjedhje të lira në atë pjesë dhe zbatimin e pakos së Ahtisarit si një ofertë e jashtëzakonshme për realizimin e drejtave të pakicave në Kosovë.

Raundin e shtatë të dialogut teknik Zëvendëskryeministrja Tahiri e vlerësoi pozitiv për faktin se u finalizua marrëveshja për njohjen reciproke të diplomave universitare por shtoi se sa i përket zbatimit të marrëveshjeve tjera pala serbe ka shënuar ngecje duke mos treguar gatishmëri dhe tendencat e tyre në këtë dialog për ti reviduar marrëveshjet dhe për ta zvarritur edhe më tej zbatimin e tyre.

Znj. Tahiri kërkoj nga BE që suksesin e palëve në dialog ta vlerësojnë mbi përkushtimin e tyre për ti zbatuar plotësisht marrëveshjet konform obligimeve që dalin nga to. Ajo insistoi që Republika e Kosovës duhet të marrë shpërblimin e merituar për konstruktivitetin në dialog me hyrjen në marrëdhënie kontraktuale. Ajo tha poashtu se të gjitha shtetet anëtare të BE-së e kanë obligim që ta mbështesin Kosovën drejtë avancimit të integrimit të saj në BE, sepse ato njëzëri e kanë miratuar rezolutën e OKB-së për dialogun e cila precizon se përmes këtij dialogu për çështje praktike do të mundësohet përafrimi i të dy shteteve drejtë BE-së.

Më pas zëvendëskryeministrja Tahiri foli edhe për rëndësinë e arritjes së marrëveshjes për Bashkëpunimin Rajonal, Energjinë, Telekomunikacionin dhe atë të Menaxhimit të Integruar të Kufijve, duke shtuar se këto kontribuojnë në fqinjësi të mirë, përmirësim të jetës së qytetarëve dhe i kontribuojnë poashtu stabilitetit dhe prosperitetit të rajonit.

Nga ana tjetër znj. Lunack, vlerësoi lartë përkushtimin dhe seriozitetin e shtetit të Kosovës në qasjen për përmbushje të kritereve evropiane. Ajo tha se ka pritur që edhe Serbia në këtë raund të dialogut të tregohet më serioze dhe të shënohen rezultate më të mëdha në dialogun teknik. Është e domosdoshme zbatimi i plotë nga ana e Serbisë poashtu i të gjitha marrëveshjeve të arritura deri më tash, si edhe arritja e marrëveshjeve të reja me theks të veçantë ajo për Bashkëpunimin Rajonal, tha më tej znj. Lunacek.

Ajo tha se, Komisioni Evropian i ka bërë të qartë Serbisë për obligimet që ka ndaj dialogut teknik dhe se zbatimi i marrëveshjeve është kushti kryesor i tyre në këtë fazë. Poashtu tha se ndan mendimin me Zëvendëskryeministren Tahiri se Serbia duhet që sa më parë ti shpërbejë strukturat paralele dhe të mos e pengojë shtetin e Kosovës në zbatimin e sundimit të ligjit dhe aplikimit të pakos së Ahtisarit edhe në pjesën veriore të vendit.

Znj. Lunacek shprehu bindjen se Kosova e meriton të avancoj drejtë BE-së përmes hyrjes në marrëdhënie kontraktuale dhe së BE duhet të jetë unike gjithashtu në vlerësimet pozitive për Kosovën dhe shpërblimin për konstrutivitetin e saj.

Poashtu në këtë ditë Zëvendëskryeministrja Tahiri është takuar me disa diplomatë të vendeve anëtare te BE-së, shtetet e të cilëve ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës. Ajo kërkoi përkrahje për avancimin e agjendës evropiane të Kosovës dhe rishikimit të pozicionit të vendeve të tyre karshi shtetit të pavarur të Kosovës. 

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors