Kryeministri Thaçi ka takuar sot z. Nickolay Mladenov, Ministër i Punëve të Jashtme të Republikës së Bullgarisë, z. Samuel Zbogar, Ministër i Punëve të Jashtme, Republika e Sllovenisë


Image

Prishtinë, 18 nëntor 2011

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi ka takuar sot në një takim të përbashkët z. Nickolay Mladenov, Ministër i Punëve të Jashtme të Republikës së Bullgarisë, dhe z. Samuel Zbogar, Ministër i Punëve të Jashtme, Republika e Sllovenisë.

Kryeministri Hashim Thaçi në këtë takim ka njoftuar të dy ministrat me të arriturat e institucioneve të Republikës së Kosovës në konsolidimin dhe forcimin e shtetit të pavarur dhe demokratik të Kosovës, për përkushtimet për fuqizimin e qeverisjes së mirë, transparente, sundimin e rendit dhe ligjit, luftën e pakompromis ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar, vizionin për zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik dhe përkushtimet për respektimin afirmativ të komuniteteve.

Në takim, kryeministri Thaçi shprehu vendosmërinë e Qeverisë së Republikës së Kosovës për përmbushjen e plotë të kritereve dhe standardeve evropiane të integrimit. Në këtë drejtim, kryeministri Thaçi theksoi se Qeveria e Kosovës ka ndërmarrë hapa progresivë në përmbushjen e agjendës evropiane, me theks të veçantë përmbushjen e kritereve për liberalizimin e vizave.

Duke folur për angazhimet e Qeverisë së Kosovës në fuqizimin e sundimit të ligjit në tërë territorin e Kosovës, kryeministri Hashim Thaçi ka siguruar se institucionet e Kosovës në partneritet të plotë me bashkësinë ndërkombëtare do ta vendosin në plotëni rendin dhe ligjin në pjesën veriore të Kosovës, duke i hapur kështu perspektivë ndërtimit të jetës demokratike dhe zhvillimit ekonomik dhe mirëqenies sociale të qytetarëve tanë edhe në atë pjesë të vendit.

Ministri Mladenov si dhe Ministri Zbogar në takimin me kryeministrin e Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi kanë vlerësuar lartë marrëdhëniet bilaterale mes të vendeve të tyre dhe Republikës së Kosovës dhe janë shprehur se vendet e tyre vazhdojnë të mbështesin proceset demokratike dhe zhvillimore në Kosovë, si dhe rrugen drejt integrimit në Bashkimin Evropian. 

Të dy ministrat janë duke marrë pjesë në punimet e  konferencës ndërkombëtare “Germia Hill” e cila po mbahet sot dhe nesër me pjesëmarrjen e diplomatëve të ndryshëm të vendeve të rajonit dhe të Evropës. 

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors