21 tetor, 2011
Projekti për Marrëdhënie Etnike – Kosovë (PER-K) organizoi një takim në mes të zëvendës-kryeministres së Kosovës, njëherazi udhëheqëse e ekipit kosovar për dialog teknik, znj. Edita Tahiri, dhe përfaqësuesve të komunave me shumicë serbe të rajonit të Anamoravës si dhe të udhëheqësve të fshatrave serbe nga i njëjti rajon. Qëllimi i këtij takimi ishte që të përfaqësuesit e serbëve të Kosovës të informohen me specifikat në lidhje me atë se çfarë marrëveshjesh janë arritur në Bruksel dhe mënyrat si do të zbatohen ato në teren dhe si do të tejkalohen vështirësitë gjatë zbatimit të tyre.
Në fillim të takimit, zëvendëskryeministrja Tahiri paraqiti një përmbledhje të fillimit të dialogut si dhe të çështjeve të cilat janë diskutuar gjer më tani. Sipas saj qëllimi i dialogut ka qenë që dy shtetet te diskutojnë për çështjet që janë të rëndësishme për lehtësimin e jetës së qytetarëve në fushat e lëvizjes së lirë si të qytetarëve, tregtisë së lirë të mallrave, tregtinë e lirë si dhe çështjet për kthimin e librave civil, dokumentet kadastrale dhe njohjen reciproke të diplomave universitare. Ajo më tej dha detaje specifike në lidhje me zbatimin e disa çështjeve e sidomos që kanë të bëjnë me lëvizjen e lirë.
Nga pjesëmarrësit serbë u shfaq interesim kryesisht për aspekte praktike dhe si të përmirësohet jeta e tyre në aspekt praktik dhe jo në mbrojtje të interesave kombëtare apo etnikë. Përfaqësuesit e komunave dhe të fshatrave i paraqitën brengat e tyre në lidhje me mungesën e informacionit në lidhje me atë se si do të implementohen në teren dhe çfarë ndikimi do të ketë ajo për komunitetin serb.
Si do të marrin serbët patentat e shoferit kosovare, a do të mjaftojnë dy muaj për regjistrimin e veturave në Kosovë, si do të trajtohen targat e ndryshme dhe çfarë sigurimi do të kërkohet, ishin temat kryesore specifike që u diskutuan. Edhe pse është arritur marrëveshja për liri të lëvizjes, vetëm për njërën nënpikë, targat, janë specifikuar detajet e zbatimit të marrëveshjes dhe zbatimi i tyre fillon me 1 nëntor. Për zbatimin e pikave tjera në javët në vijim kanë mbetur të akordohen të gjitha detalet specifike të implementimit.