Kryeministri Thaçi: Nga 25 korriku Kosova është ndryshe, është hapur kapitulli i ri i sovranitetit të plotë në Republikën e Kosovës

Prishtinë, 29 korrik 2011

Situata në veriun e Kosovës ka qenë çështja kryesore e mbledhjes së sotme të Qeverisë së  Republikës së Kosovës, e cila është drejtuar nga kryeministri Hashim Thaçi.

Në vazhdim po e prezantojmë të plotë adresimin e kryeministrit Hashim Thaçi në mbledhjen e qeverisë.

Të nderuar zëvendëskryeministra,

Të nderuar ministra,

Të nderuar zëvendësministra,

Më lejoni që t’ju informoj juve dhe qytetarët me situatën në veriun e Kosovës. Ju falënderoj të gjithëve për punën që keni bërë në kuadër të autoritetit tuaj institucional.

Siç jeni në dijeni, me angazhimet tona të përbashkëta, Qeveria e Republikës së Kosovës ka marrë vendimin për aplikimin e masave të reciprocitetit për mallra që janë importuar nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina. Ky vendim është respektuar në të gjitha pikat kufitare të Republikës së Kosovës, me përjashtim të pikave 1 dhe 31 në veri të vendit, ku nga njerëzit e instaluar aty kanë refuzuar që të zbatojnë vendimin për ndalimin e mallrave nga Serbia.

Kjo gjendje e krijuar e joligjshmërisë në këto 12 vjetët e fundit ka qenë e patolerueshme për neve si Qeveri e Republikës së Kosovës, prandaj si rrjedhojë kemi autorizuar Policinë e Kosovës që të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për vendosjen e ligjit dhe zbatimin për reciprocitet në të gjitha pikat kufitare në Republikën e Kosovës, në kuadër të kësaj edhe të pikës 1 dhe 31.

Policia e Kosovës ka filluar operacionin dhe pas përfundimit me sukses Njësitë Speciale të Policisë së Kosovës janë tërhequr dhe tani Policia kufitare, doganierët janë vendosur në pikën 31, një kohë edhe në pikën 1. Siç e dini, zhvillimet dramatike që ndodhën, njerëzit e organizuar, të motivuar dhe të nxitur nga zyrtarë të lartë të Serbisë kanë sulmuar fillimisht pikën 1 dhe kanë djegur apo janë toleruar për ta djegur, dhe më pas kanë sulmuar edhe pikën 31. Në Pikën 31 KFOR-i, Policia e Kosovës dhe doganierët e Kosovës kanë qëndruar dhe janë ballafaquar me njerëzit e dhunës, me ata të cilët kanë pretenduar që përsëri të thyejnë rendin dhe rregullin, janë ballafaquar me njerëzit e armatosur, të nxitur direkt nga Beogradi.

Qeveria e Republikës së Kosovës edhe njëherë për këto zhvillime të dhunshme e bën përgjegjës direkt politikën zyrtare të Beogradit dhe zyrtarët e saj të futur ilegalisht në Republikën e Kosovës.

Aktualisht pika 1 është e djegur dhe dëmtuar në masë të madhe. Është në kontroll të plotë të NATO-s dhe është e mbyllur për qarkullimin e mallrave, ndërsa lëvizin vetëm makinat e vogla dhe qytetarët. Është një kontroll i rreptë në hyrje-dalje nga Kosova, një kontroll i rreptë të makinave për armatim dhe çështje tjera.

Ndërsa, pika 31 është e mbrojtur nga forcat e KFOR-it, dhe është funksionale, aty është Policia e Kosovës dhe doganierët e Kosovës. Edhe në këtë pikë është duke funksionuar në përpikëri vendimi i Qeverisë së Republikës së Kosovës për reciprocitet. Tani kam rekomanduar të gjitha ministritë përkatëse të marrin veprimet e menjëhershme, për të filluar riparimin e  dëmtimeve në pikën 1. Gjithashtu jemi në ballafaqim për hapjen e rrugëve dhe pengesave që ishin instaluar aty.

Në pikën kufitare 31 Policia kufitare e Kosovës së bashku me doganierët janë duke e kryer punën në përputhshmëri me Kushtetutën e Kosovës. Po ashtu, e falënderoj KFOR-in për një bashkëpunim shumë të ngushtë.

Për herë të parë pas 12 vjetësh ne kemi arritur që të ndalojmë kontrabandën 100 për qind në pikën kufitare 1 dhe 31. E ritheksoj për herë të parë pas 12 vjetësh kemi arritur që me vendimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës, me mbështetje të NATO-s të bllokojmë komplet kontrabandën. Tani kontrabanda në këto dy pika kufitare është ndërprerë, është bllokuar 100 për qind. As edhe një makinë nuk mund të hyjë pa kontroll të plotë dhe pa respektim të plotë të legjislacionit të Republikës së Kosovës, rregullave dhe normave të policisë kufitare të Republikës së Kosovës dhe doganierëve të Republikës së Kosovës.

E kemi ndërprerë, ndalur qindpërqind kontrabandën në të gjitha pikat kufitare të Republikës së Kosovës, edhe në vijën përgjatë kufirit me Serbinë, por ky efekt i ndërprerjes së kontrabandës tejkalon efektin komercial. Tani mund të them lirisht se të gjitha pikat kufitare të Republikës së Kosovës ruhen dhe mbrohen prej misioneve të rendit të ligjit të Kosovës dhe misionit të NATO-s.

Më lejoni të përsëris edhe njëherë se nuk do të bëjmë as edhe një hap prapa. Nuk do të zbrapsemi. Kjo është faza e parë e implementimit të vendimit për vënien e rendit dhe ligjit në tërë territorin e Republikës së Kosovës. Do të vazhdojmë me hapjen e rrugëve, dhe luftimin e të gjithë atyre paramilitarëve, kontrabandistëve që brenda territorit të Kosovës duk qëndruar ilegalisht dhe do të jemi të pakompromis me mundësitë, kapacitetet e shtetit të Republikës së Kosovës. Tani masat e reciprocitetit me Serbinë janë instaluar, dhe e theksoj edhe njëherë se ato zbatohen në të gjitha pikat kufitare me Serbinë, dhe kjo do të zgjasë derisa Serbia nuk e ndryshon qëndrimin e saj në raport me shtetin e Kosovës.

Ditëve të fundit kemi pasur qëndrime ilegale të zyrtarëve serbë në Republikën e Kosovës. Do të jemi shumë të vendosur që këtë qëndrim të tyre ta trajtojmë në përputhshmëri me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës dhe ballafaqimin e tyre me rendin dhe ligjin. Por, në të njëjtën kohë, çështjen e pikave kufitare nuk do ta negociojmë me askë. Nuk do të ketë rikthim prapa, nuk do të ketë rikthim në status-kuo.

Nga 25 korriku Kosova është ndryshe, është hapur kapitulli i ri i sovranitetit të plotë në Republikën e Kosovës. Dhe, askush me këta zyrtarë ilegalë të Serbisë, qofshin diplomatë apo zyrtarë tjerë ndërkombëtarë nuk kanë të drejtë të ulen dhe të diskutojnë në emër të Kosovës. Për Kosovën dhe çështje të brendshme të rregullimit të Kosovës mandatin e kanë vetëm përfaqësuesit e Kosovës për kontakte e biseda me zyrtarët e shteteve fqinje. Ne vlerësojmë, se qëndruarit e zyrtarëve serbë në Kosovë është një qëndrim ilegal, inspirim dhe mbajnë përgjegjësi direkte për vrasjen e policit të njësisë speciale, për nxitjen e dhunës, për përkrahjen e plotë të djegies se pikës kufitare 1 dhe për përkrahje të plotë të militarëve dhe paramilitarëve në atë pjesë të Republikës së Kosovës, që qëndrojnë në forma të ndryshme ilegale dhe gjysmëilegale. Por institucionet e Kosovës janë të vendosura që të ballafaqohen me këto grupe kriminale.

Në Kosovë ka të ardhme, rendi demokratik, sundimi i ligjit dhe jo qasja e së kaluarës. Prandaj, më lejoni që në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës të ftoj edhe njëherë të gjithë qytetarët e vendit, për qetësi, për mirëkuptim, sepse vetëm ndërtimi i Kosovës demokratike, sundimit të ligjit, Kosovës multietnike është garancë për suksesin dhe implementimin e plotë të vendimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës për ligjshmëri në gjithë territorin e Republikës së Kosovës. Ndjehem shumë krenar me mirëkuptimin, solidaritetin dhe mbështetjen e qytetarëve, dhe kuptimin e tyre dhe mesazheve tona të mos ndodh asnjë incident ndëretnik. Çdo incident e dëmton Republikën e Kosovës. Secili duhet të ketë besim tek institucionet e shtetit, ato po funksionojnë tani në gjithë territorin e Republikës së Kosovës dhe janë të vendosura si kurrë ndonjëherë më parë për të lëvizur përpara.

Askush mos të mendojë se mund të dialogojë për çështje tona të brendshme. E ritheksoj, me askënd nuk do të negociojmë, nuk do të bëjmë kompromis për sigurinë e tërësisë territoriale të Republikës së Kosovës. Ne duam fqinjësi të mirë me Serbinë, si me të gjitha vendet tjera të rajonit, por secili është Zot në shtëpinë e vet. Në këtë drejtim ne çmojmë lartë shumë punën e palodhshme dhe të jashtëzakonshme që ka bërë KFOR në kuadër të mandatit të vet.

Më lejoni gjithashtu që në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës të ftoj EULEX-in që në kuadër të mandatit që ka, të ndihmojë autoritetet kosovare në vendosjen e rendit dhe ligjit. EULEX ka obligim për të respektuar Kushtetutën e Republikës së Kosovës, ligjet e Kosovës, institucionet e Kosovës, Dokumentin e presidentit Ahtisaari, në bazë të së cilit e kemi shpallur pavarësinë e Kosovës në tërësinë territoriale të Kosovës, të njohur ndërkombëtarisht. Dhe në këtë drejtim mendoj se do të ketë fillim të ndryshimit të qasjes së EULEX-it.

Definitivisht, secili duhet ta kuptojë se rendi dhe ligji duhet të funksionojë në gjithë territorin e Republikës së Kosovës. Nuk mund të ketë ligjshmëri në një pjesë dhe një pjesë tjetër kontroll nga paramilitarët dhe kontrabandistët. Aty ku s’ka ligjshmëri, aty nuk ka qetësi, aty s’ka stabilitet. Kësaj gjendjeje jemi shumë të përgatitur dhe të vendosur t’i përgjigjemi me rend, ligj dhe me të gjitha mjetet kushtetuese dhe ligjore në gjithë territorin e Republikës së Kosovës.

Pra, edhe njëherë theksoj ajo çka është jashtëzakonisht me rëndësi, është se vendimi i Qeverisë ka pasur efektin e vet. Tani reciprociteti po ndodh në çdo pikat kufitare me Serbinë. Është ndaluar kontrabanda qindpërqind, e ritheksoj edhe njëherë rikthim prapa nuk do të ketë, por do të ketë vetëm ligjshmëri, rend, rregull edhe në këto dy pika kufitare në mes shtetit të Kosovës dhe Serbisë.

Nga ana tjetër, më lejoni të ritheksoj edhe njëherë, dialog për fqinjësi të mirë, do të ketë, duhet të ketë, jemi të gatshëm, por në Bruksel. Dialog me agjendë të paraparë nga BE, të mbështetur nga SHBA, e në asnjë rrethanë dhe në asnjë kohë me zyrtarët që qëndrojnë në mënyrë ilegale në Kosovë. Dhe, askush, asnjë diplomat dhe askush tjetër nuk ka të drejtë të takohet me zyrtarë serbë për çështjen e Kosovës. Ata po qëndrojnë ilegalisht në Kosovë dhe mbahen përgjegjës direkt nga institucionet e Republikës së Kosovës për dhunën e shkaktuar në Kosovë.

Unë ju falënderoj të gjithëve për mirëkuptimin, për punën tuaj të jashtëzakonshme, për koordinimin e mirë. Në këtë drejtim jemi të përkushtuar të vazhdojmë angazhimet tona. Falënderoj Kuvendin e Republikës së Kosovës për Rezolutën mbështetëse për vendimin e Qeverisë. Falënderoj të gjithë mbështetësit e ligjit dhe rendit. Falënderoj KFOR-in dhe të gjithë faktorët relevantë ndërkombëtarë në Kosovë. Ka zëra që mendojnë se do të duhej ruajtur ai stabilitet nën kontrollin e paramilitarëve apo kontrabandistëve. Por, ata që mendojnë ashtu e kanë plotësisht gabim. Do të ketë vetëm qetësi, rend, rregull, stabilitet kushtetues dhe ligjor.

Në mbledhjen e sotme të qeverisë, Zëvendëskryeministri Behgjet Pacolli ka njoftuar kabinetin qeveritar që në javën e dytë të muajit të ardhshëm do të qëndrojë për vizitë zyrtare në Republikën e Kosovës, Presidenti i Hondurasit, një mik i madh dhe mbështetës në procesin e lotimit për pavarësinë e Kosovës. Me këtë rast, zëvendëskryeministri Pacolli theksoi se Qeveria e Republikës së Kosovës do të bëjë të gjitha përgatitjet e duhura që Presidentit të Hondurasit t’i organizohet një pritje e merituar.

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors