Takimet nga vizita e zëvendëskryeministres Edita Tahiri në Mbretërinë e Bashkuar


Image


Image

Zëvendëskryeministrja Edita Tahiri zhvilloi edhe një varg takimesh në qeverinë dhe parlamentin e Mbretërisë së Bashkuar, si dhe mbajti një ligjëratë në Institutin Ndërkombëtar për Studime Strategjike.

Në qeveri u takua me Sir Geoffrey Adams, drejtor politik në Ministrinë e Jashtme, me të cilin biseduan për progresin e arritur në shtetndërtimin e Kosovës, reformat e gjithanshme për një shtet ligjor dhe ekonomikisht të zhvilluar dhe angazhimet për mirëqenien e qytetarëve dhe komuniteteve.

Zëvendëskryeministrja Tahiri theksoi përkushtimin e qeverisë së Kosovës për integrime euro-atlantike, rritjen e njohjeve dhe anëtarësimin e Kosovës në OKB, si dhe veçoi rolin konstruktiv të Kosovës për paqen dhe stabilitetin rajonal dhe fqinjësinë e mirë me shtetet fqinje.

Më tutje znj. Tahiri theksoi rëndësinë e dialogut teknik si një mundësi për të gjetur zgjidhje për çështjet praktike në dobi të qytetarëve dhe në dobi të integrimit evropian, me ç`rast potencoi rëndësinë e zbatimit të plotë të marrëveshjeve të arritura dhe vazhdimin e dialogut për çështjet tjera.

Nga ana e tij, Sir Geoffrey Adams, shprehu përkrahjen e fuqishme të Mbretërisë së  Bashkuar për perspektivën euro-atlantike të Kosovës si dhe përshëndeti arritjet në dialogun teknik në funksion të normalizimit të marrëdhënieve fqinjësore dhe stabilitetit rajonal.
 
Po ashtu, zëvendëskryeministrja Tahiri në Parlamentin Britanik, përkatësisht në Dhomën e Lordëve takoi Lord Harris, Lord Christopher, Lord Clarke of Hamstead, Lord Ahmed, Lord Dubs, Lord Brookman of Ebbë Vale dhe Lord Mackenzie of Framëellgate.

Në këtë takim zëvendëskryeministrja Tahiri i informoi gjerësisht lordët për përparimet në Kosovë pas shpalljes së pavarësisë dhe për angazhimet e Qeverisë së Kosovës për reforma të thella drejt integrimeve euro-atlantike. Ajo poashtu kërkoi mbështetjen e tyre për fuqizimin e njohjeve për shtetin e Kosovës.

Nga ana e tyre, lordët konfirmuan gatishmërinë e Parlamentit Britanik për mbështetje të vazhdueshme të Kosovës me qëllim të arritjes së qëllimeve kryesore për një shtet të suksesshëm dhe të integruar në strukturat euro-atlantike.

Në përmbyllje të vizitës në Mbretërinë e Bashkuar, zëvendëskryeministrja Tahiri mbajti një ligjëratë në institutin prestigjioz të Londrës / Institutin Ndërkombëtar për Studime Strategjike, me temën “Perspektiva euro-atlantike e Kosovës”

Zëvendëskryeministrja Tahiri në këtë ligjëratë foli për arritjet dhe sfidat që ka Kosova në periudhën pas shpalljes së pavarësisë. Ajo foli për shtetndërtimin demokratik dhe reformat gjithëpërfshirëse. Po ashtu u ndal edhe të marrëdhëniet ndërkombëtare dhe sfidat në rrugën drejt integrimit në BE dhe në NATO. Znj. Tahiri po ashtu foli për rolin e saj si udhëheqëse e dialogut teknik në mes të Republikës së Kosovës dhe Serbisë të ndërmjetësuar nga BE-ja.

Në mes tjerash, në këtë ligjëratë zëvendëskryeministrja Tahiri tha se Kushtetuta e Republikës së Kosovës bazohet në parimet fondamentale të demokracisë dhe të sovranitetit si pushtet dhe përgjegjësi me qëllim për ta zhvilluar shtetin e pavarur dhe shërbimet e tij për qytetarët.

Relacioni mes shtetit dhe qytetarëve nënkupton bashkëpunim të dyanshëm tha në fund Zëvendëskryeministrja Tahiri. 

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors