Kryeministri Thaçi: Në Bruksel tashmë ka konsensus të plotë për perspektivën evropiane të Republikës së Kosovës


Image

Prishtinë, 5 korrik 2011

Fjala e kryeministrit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi në konferencën për media, mbajtur në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, pas kthimit nga vizita zyrtare në Bruksel

Vizita në Bruksel, posaçërisht takimi me baroneshën Ashton ka qenë i një rëndësie të veçantë, sepse agjenda evropiane për Republikën e Kosovës gjithnjë e më tepër po bëhet më e qartë, në veçanti sa i përket liberalizimit të vizave, marrëdhënieve kontraktuale dhe marrëdhënieve tregtare me Bashkimin Evropian.

E ardhmja e shtetit të Kosovës është e ardhme evropiane, është e vetmja rrugë.

Në Bruksel tashmë ka konsensus të plotë për të ardhmen dhe perspektivën evropiane të Republikës së Kosovës dhe të rajonit, por në veçanti flas tani për Kosovën.

Ajo çka është më rëndësi është se edhe në Kosovë ka konsensus për të punuar për perspektivë evropiane, për të punuar bashkërisht i gjithë spektri politik, pra një konsensus ndërpartiak dhe gjithetnik.

Është për t’u inkurajuar edhe puna që bëhet prej Komisionit Parlamentar për Integrime, por gjithashtu edhe puna e rëndësishme e komunave në procesin e riatdhesimit.

Deri më 1 shtator do të punojmë maksimalisht, që edhe Parlamenti i Kosovës t’i aprovojë rreth 40 projektligje, të cilat i ka dërguar Qeveria e Kosovës, në mënyrë që t’i plotësojmë, por në të njëjtën kohë edhe aprovojmë edhe shumë projektligje që i kemi dërguar dhe që ndërlidhen drejtpërdrejt edhe me procesin e suksesit në raportin e progresit.

Prandaj, kam besim se edhe Parlamenti do të punojë në mënyrë dinamike gjatë tërë kohës në mënyrë që të përmbyllim me sukses aprovimin e këtyre projektligjeve, që janë të rëndësishme për procesin e dialogut për liberalizimin e vizave dhe marrëdhënieve kontraktuale e tregtare me BE-në.

Tani presim një proces shumë më dinamik të procesit të anëtarësimit të Kosovës në EBRD. Tani më veq i kemi siguruar 42 vota të mjaftueshme.

Me një letër i jam drejtuar edhe z. Oli Rehn, që kjo çështje të procedohet sa më shpejt që është e mundur.

Edhe në këtë drejtim është një mbështetje evropiane e theksuar dhe, është një inkurajim edhe nga baronesha Ashton se kjo çështje do të përshpejtohet së proceduari dhe të përmbyllet, në mënyrë që Kosova të jetë sa më shpejt anëtare e saj.

Gjithashtu një nga temat e diskutimit me baroneshën Ashton, ka qenë edhe raportet e Republikës së Kosovës me fqinjët. Brukseli e ka mirëpritur dialogun, e ka lehtësuar dhe udhëhequr së bashku me SHBA-të.

Prandaj, edhe dakordimi i fundit për tri çështje të caktuara mes delegacionit të shtetit të Kosovës dhe Serbisë, janë shumë të mirëprituar në Bruksel.

Janë marrëveshje të modelit evropian, sa i përket nostrifikimit të diplomave, që ka qenë qështje vazhdimisht e diskutueshme dhe e kërkuar prej shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc, të cilët e kanë mirëpritur dhe i kanë duartrokitur kësaj marrëveshje.

Gjithashtu sa i përket lëvizjes së lirë, edhe lëvizjes së mallrave, është diçka e re, aspekt teknik, por e domosdoshme edhe për qytetarët e Kosovës dhe gjithë rajonit dhe në të njëjtën kohë edhe sa i përket regjistrit civil dhe çështjeve tjera teknike që do të vijnë në proces e sipër.

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors