Kryeministri Thaçi: Vizioni kryesor i Qeverisë së Republikës së Kosovës – vizioni i Kosovës Evropiane, i zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik


Image

Prishtinë, 4 maj 2011

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi ka zhvilluar sot një takim me ministrin për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim të Gjermanisë, Dirk Niebel.

Në takim është biseduar për zhvillimet aktuale në Republikën e Kosovës, për bashëpunimin e shkëlqyer mes Kosovës dhe Gjermanisë dhe për thellimin e këtij bashkëpunimi.
 
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi falënderoi dhe i shprehu mirënjohje ministrit gjerman për kontributin që ka dhënë qeveria dhe populli gjerman për Kosovën në momentet më të vështira të saj, dhe tani në proceset e zhvillimit dhe të integrimit.
 
Më tej, kryeministri Thaçi vlerësoi lartë bashkëpunimin mes dy qeverive dhe shprehu gatishmërinë për thellimin e mëtejmë të këtij bashkëpunimi në të gjitha sferat, me theks të veçantë në kuadër të proceseve të mbështetjes së zhvillimit ekonomik të Kosovës, ku roli i Gjermanisë është i rëndësishëm.
 
Në kuadër të mbështetjes së qeverisë gjermane në proceset zhvillimore të Kosovës, kryeministri Thaçi falënderoi ministrin Niebel për mbështetjen e projektit të linjës interkonektive të tensionit të lartë 400 kV në mes të Kosovës dhe Shqipërisë, fillimi i punës së të cilit u përurua sot, ku qeveria gjermane përmes KfW-së ka participuar me 75.5 milion euro.
 
Pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, tani vizioni kryesor yni si Qeveri e Republikës së Kosovës dhe si institucione të Kosovës është vizioni i Kosovës Evropiane, i zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik, i implementimit të të gjitha standardeve të integrimit në Bashkimin Evropian dhe në NATO. Në këtë aspekt, ne jemi fuqimisht të përkushtuar që këtë vizion ta realizojmë në plotëni – u shpreh kryeministri Thaçi.
 
Nga ana e tij, ministri gjerman për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim, Dirk Niebel falënderoi kryeministrin Thaçi për pritjen e përzemërt dhe vlerësoi lartë bashkëpunimin me Qeverinë e Republikës së Kosovës.
 
Z.Niebel në takimin me kryeministrin Thaçi ritheksoi gatishmërinë e plotë të qeverisë gjermane për të mbështetur proceset e zhvillimit ekonomik të Kosovës.
 
Projekti i linjës interkonektive të tensionit të lartë 400 kV në mes të Kosovës dhe Shqipërisë, që përuruam sot, dëshmon më së miri se Qeveria e Gjermanisë do të vazhdojë të jetë pranë jush në këto procese të rëndësishme për Kosovën – u shpreh ministri Niebel.

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors