Prishtinë, 27 prill 2011
Zëvendëskryeministrja znj. Edita Tahiri e cila njëherit është edhe udhëheqëse e dialogut teknik mes Republikës së Kosovës dhe Serbisë të ndërmjetësuar nga BE, ka mbajtur sot një ligjëratë para studentëve të Universitetit Amerikan të Kosovës (AUK) me temën: “Dialogu teknik dhe integrimet evropiane”.
Presidenti i Universitetit Amerikan në Kosovë, z. Chris Hall në fjalën hyrëse falënderoi
zëvendëskryeministren Tahiri dhe vlerësoi lartë personalitetin e saj.
Në këtë ligjëratë znj. Tahiri fillimisht foli për qëllimet e dialogut teknik të filluar midis dy
vendeve të pavarura duke specifikuar se qëllimi i këtij dialogu është zgjidhja e çështjeve teknike në të mirë të qytetarëve dhe afrimi i dy vendeve me Bashkimin Evropian. Ajo tha se agjenda e dialogut përfshinë çështjet e tregtisë së lirë, lëvizjes së lirë, sundimit të ligjit dhe bashkëpunimit rajonal. Kosova angazhohet për parimin e reciprocitetit në zgjidhjen e këtyre çështjeve, tha ajo duke shtuar se dialogu synon që të eliminojë pengesat e krijuara që nga periudha e pasluftës që lidhen me ndërhyrjet ilegale dhe ndikimit negativ që Serbia e ka ushtruar në një pjesë të caktuar të komunitetit serb.
Qeveria e Republikës së Kosovës mbetet e përkushtuar për konsolidimin e shtetit dhe ofrimin e shërbimeve të mira për gjithë qytetarët përfshirë edhe serbët e pjesës veriore të vendit duke i ndihmuar ata që të integrohen në jetën institucionale të Kosovës. Kosova ka pranuar obligimin ndërkombëtar për të hyrë në dialogun teknik ndërshtetëror midis Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, në bazë të Rezolutës së Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, e cila njohu mendimin këshillëdhënës të GJND-së dhe ftoi dy vendet në dialog teknik, ka thënë znj. Tahiri. Ajo vlerësoi përparimet në dialogun teknik dhe rikonfirmoi përkushtimin e Qeverisë së Kosovës për një angazhim serioz për rezultate në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe parimet e Bashkimit Evropian.
Kosova në këtë dialog ka një qasje konstruktive dhe e sheh dialogun si një mundësi të mirë për përmirësimin e marrëdhënieve ndërfqinjësore dhe si një kontribut për paqen e qëndrueshme në rajon, theksoi ajo.
Duke folur për integrimin e Kosovës në Bashkimin Evropian dhe strukturat euro-atlantike, znj. Tahiri tha se Kosova ka arritur progres të dukshëm në këtë proces përmes reformave të gjithanshme, që nga përafrimi i legjislacionit me BE-në deri te avancimi i standardeve të qeverisjes së mirë. Ajo në mënyrë të veçantë theksoi se Kushtetuta e Republikës së Kosovës një prej kushtetutave më moderne në botë dhe mbi parimet e sajë ne po ndërtojmë një shtet demokratik, ekonomikisht të qëndrueshëm dhe shtet ligjor duke siguruar mundësi të barabarta dhe perspektiva për gjithë qytetarët.
Zëvendëskryeministrja Tahiri më pas tha se politika e jashtme e Kosovës është e kthyer drejt perëndimit dhe se kjo politikë është sublimuar me ndërtimin e aleancave me vendet perëndimore, në radhë të parë me SHBA-të dhe BE-në, si partnerët kryesorë ndërkombëtarë të Kosovës. Ajo shprehu bindjen e plotë se dialogu teknik është në funksion të forcimit të pavarësisë, rritjes së numrit të njohjeve, dhe rritjes së perspektivës së anëtarësimit në BE, NATO, OKB dhe institucione tjera ndërkombëtare.
Znj. Tahiri falënderoi dhe vlerësoi për përkrahjen e madhe që i kanë dhënë Kosovës në të gjitha fazat, SHBA-të, vendet anëtare të BE-së dhe bota demokratike, duke thënë se përkrahja duhet të vazhdojë. Ajo po ashtu tha se ka kërkuar nga Baronesha Ashton dhe zyrtarët tjerë të lartë të BE-së, që Kosova sa më parë të marrë liberalizimin e vizave, hyrjen në marrëdhënie kontraktuale me BE-në, përmes nënshkrimit të marrëveshjes për stabilizim-asocimit dhe përshpejtimin e marrjes së statusit të kandidatit.