Prishtinë, 28 shtator 2008
Zonja dhe zotërinj
Kalendari i historisë sonë të re është i pasur me data të rëndësishme.
Është i lavdishëm ashtu siç qenë të rëndësishme ngjarjet me karakter të qëndresës qytetare dhe çlirimtare.
Është i ndritshëm dhe madhështor ashtu siç qenë ata që lanë gjurmë të thella duke bërë kthesa historike.
Ferizaj me rrethinë gjithmonë ka qenë vatër e rezistencës.
Vend prej nga kanë dalë atdhetarë e veprimtarë të devotshëm në të gjitha periudhat historike, veçanërisht prej viti 1981 e deri tek lufta e lavdishme e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Zonja e zotërinj,
Sot kur Ju shënoni Ditën e Dëshmorëve, nuk ka si të mos ndjehemi së bashku krenarë dhe ballëhapur përballë emrit dhe veprës së dëshmorëve.
Shënohet dita e tyre për herë të parë në Kosovën e Lirë, të Pavarur, Sovrane dhe Demokratike.
Shënohet dita e Dëshmorëve në Ferizajn që po merr çdo ditë e më shumë fizionominë e një qyteti me tipare urbane, me një rrethinë e cila nga dita në ditë është duke ecur me hapa të dukshëm përpara.
Simbolikisht në vitin e parë të pavarësisë, në Ditën e Dëshmorëve të Ferizajt do të përurohet rruga e asfaltuar e Jezercit.
Vend në të cilin u rezistua në ditët e vështira.
Vend në të cilin investohet në ditët e mira.
Investimi në rrugë, në shkolla, në përmirësimin e jetës së qytetarëve tanë është mesazhi më i mirë i respektit për ata që flijuan jetën për lirinë e vendit tonë.
Qeveria e sotme e Kosovës është e përkushtuar jetësisht që të punojë me përgjegjësi të lartë, sepse qytetarët ia dhanë besimin e shtetkrijimit.
Qeveria e Republikës së Kosovës me këmbëngulësi është duke e vënë çdo cent të buxhetit të saj në projektet me interes të veçantë për përmirësimin e infrastrukturës, ndërtimin e shkollave, ndërtimin e rrugëve dhe krijimin e një baze për ekonominë e vogël dhe të mesme.
Zonja dhe zotërinj,
Ne jemi duke punuar çdo ditë me përgjegjësi të lartë politike që qytetarët ta ndiejnë dorën e pushtetit të tyre, që të jenë krenarë dhe dinjitoz me punën e institucioneve të zgjedhura nga vullneti i tyre.
Qeveria e Republikës së Kosovës është shumë e vendosur në luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe të gjitha dukurive negative që ngulfatin zhvillimin e vendit dhe zbehin imazhin e Kosovës në botë.
Duke ndërtuar një shtet të fortë ligjor, në baza të shëndosha, me perspektivë euroatlantike, ne arsyetojmë besimin e qytetarëve tanë.
Duke ndërtuar një shtet stabil, me politikë paqësore, arsyetojmë ndihmën e miqve tanë që na ndihmuan në të kaluarën e afërt, që po na ndihmojnë edhe sot në forcimin e pavarësisë së shtetit tonë.
Vetëm duke ndërtuar një shtet funksional, që në qendër të vëmendjes ka jetën e qytetarit, do të jemi ballëlartë para dëshmorëve, para të gjitha kategorive sociale që kanë kontribuar me gjak dhe djersë për lirinë e Kosovës.
Duke shprehur respekt të veçantë për familjet e dëshmorëve, invalidët e luftës dhe veteranët, institucioneve të komunës suaj u garantojmë se do të gëzojnë mbështetje të gjerë nga pushteti qendror, në të gjitha fushat, me besim që do t’i implementojnë projektet zhvillimore për Ferizajn me rrethinë.
Lavdi Dëshmorëve