Prishtinë, 14 korrik 2009
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi bashkë me presidentin Fatmir Sejdiu kanë takuar në një takim të përbashkët përfaqësuesin e lartë të BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Havier Solana. Në takim është biseduar për zhvillimin e proceseve në Kosovë dhe është vlerësuar progresi i shënuar deri tani.
Kryeministri Hashim Thaçi ka shprehur falënderimin e tij për bashkëpunimin e shkëlqyeshëm të institucioneve të Kosovës me z.Solana dhe për kontributin e tij për paqen dhe stabilitetin në Kosovë dhe në rajon. Kryeministri Thaçi gjithashtu ka shprehur vlerësimin e lartë për bashkëpunimin e tij personal gjatë këtyre njëmbëdhjetë viteve, që ishte periudha e sfidave të mëdha për Kosovën dhe për rajonin.
“Në këtë fazë të zhvillimit në shtetin e pavarur demokratik të Kosovës, në kuadër të përgjegjësive që kemi për implementimin e dokumentit të presidentit Ahtisari dhe në respektimin e plotë të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, kemi arritur progresin e vlerësuar nga të gjithë, për ndërtimin e Kosovës multietnike, demokratike me perspektivë të sigurt evropiane dhe me një zhvillim të avancuar ekonomik, e rritje të mirëqenies sociale të qytetarëve të Kosovës” është shprehur kryeministri Hashim Thaçi.
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi ka theksuar se institucionet kosovare do të vazhdojnë bashkëpunimin e ngushtë me të gjithë akterët ndërkombëtar që janë në Kosovë, në funksion të rritjes së sukseseve.
“Dua të besojë fuqishëm, se edhe vet vizita e z.Havier Solanës, në Prishtinë dhe në rajon, është në funksion të inkurajimit për ne, në ecjen drejt sukseseve të reja”, ka thënë kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi.
Përfaqësuesi i Lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri i Bashkimit Evropian, Havier Solana ka shprehur vlerësimin e tij të lartë për arritjet dhe progresin e shënuar në Kosovë një vit pas shpalljes së pavarësisë. Ai është shprehur se Kosova do ta ketë mbështetjen dhe përkrahjen e Bashkimit Evropian edhe në të ardhmen për të ndërtuar një vend të lirë dhe demokratik për të gjithë qytetarët e vet.
