Mbahet mbledhja e 70 -të e Qeverisë së Kosovës


Image

Prishtinë, 25 qershor 2009

Në hapje të mbledhjes së 70-të të Qeverisë së Republikës së Kosovës, kryeministri Hashim Thaçi ka thënë se Kosova po ec me hapa të sigurt drejt përmbylljes së procesit të shtetformimit, konsolidimit të shtetit, njohjeve të fuqishme ndërkombëtare dhe anëtarësimit të saj në institucione relevante financiare.
“Nesër një delegacioni shtetëror në përbërje: presidenti, kryeministri dhe disa ministra do të udhëtojë për në Uashington për të nënshkruar anëtarësimin e Kosovës në FMN dhe BB. Ky është një moment historik dhe ka ndodhur si rezultat i punë së mirë, i funksionimit demokratik të institucioneve, besimit dhe vlerësimit ndërkombëtar për Kosovën”, ka thënë z. Thaçi, duke shtuar se Kosova së shpejti do të bëhet pjesë e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim.

Kryeministri Thaçi ka vlerësuar lartë takimin e 4 presidentëve të rajonit në Vlorë. Ky është mesazh se Kosova ka qenë, është dhe do të mbetet e përkushtuar për thellimin e bashkëpunimit rajonal.

Lidhur me ndalimin e ish-kryeministrit Çeku në Bullgari, kryeministri Thaçi ka thënë se këto fletë arreste janë të dosjeve të Millosheviqit, janë të padrejta, qëllimkëqija dhe ka kërkuar që ato të mos përsëriten.

Qeveria sot ka marrë vendim që data e mbajtjes së regjistrimit të popullsisë në Kosovë të jetë periudha 30 marsi – 11 prilli i vitit 2011. Ministri i Administratës Publike, Arsim Bajrami ka thënë me këtë rast se janë bërë të gjitha përgatitjet teknike dhe konsultimet me të gjithë faktorët relevant në nivelin më të lartë. Përmes këtij procesi edhe Kosova do të shfrytëzojë rastin ti bashkëngjitet ciklit evropian të regjistrimeve, ka thënë z. Bajrami.

Sipas propozimit të MTPT-së, Qeveria ka dhënë miratimin për pesë anëtarë të Bordit të Autoritetit Rregullativ të Telekomunikacionit.

Po ashtu sot është miratuar kërkesa e  Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural për subvencionimin e derivateve të naftës për auto kombajna që do të angazhohen në fushatën e korrje-shirjeve për vitin 2009 në shumë prej 500 mijë euro.

Qeveria ka marrë vendim që OJQ “Qendra Kosovare për rehabilitimin e të mbijetuarve të torturës”  ti jap mbështetje financiare prej 22 mijë e 490 euro për trajtime shëndetësore të  të mbijetuarve të torturës në Kosovë. Po ashtu janë ndarë nga fondi rezervë 30 mije euro për dezinfektimin e ambientit nga rriqrat. 

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors