Kremtimi i njëvjetorit të hyrjes në fuqi të Kushtetutës së Republikës, dëshmi se Kosova e respekton Kushtetutën e vet, – theksoi kryeministri Thaçi në mbledhjen e 69-të të qeverisë


Image

Prishtinë, 19 qershor 2009

Kryeministri i Republikë së Kosovës, Hashim Thaçi, në hapje të mbledhjes ka vlerësuar mbështetjen e  vazhdueshme dhe të fuqishme që po fiton Republikë e Kosovës në arenën ndërkombëtare, që është dëshmuar edhe me kremtimet në rastin e njëvjetorit të hyrjes në fuqi të Kushtetutës së Kosovës.

Takimi i Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, në të cilin është debatuar për Kosovën, kryeministri Thaçi e ka vlerësuar si një mbështetje për progresin e shënuar në Kosovën e pavarur.

Kryeministri Hashim Thaçi ka vlerësuar edhe prezantimin dinjitozë të qëndrimeve të Qeverisë së Republikës së Kosovës në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, nga ministri i Punëve të Jashtme, Skender Hyseni.

Kryeministri Thaçi ka theksuar se shpallja e vendimit të presidentit të vendit, Fatmir Sejdiu për datën e zgjedhjeve lokale në Kosovë, e ka mbështetjen dhe përkrahjen e plotë të Qeverisë së Republikës së Kosovës.

Qeveria dhe të gjitha institucionet e saja do të ofrojnë gjithë mbështetjen e tyre politike dhe logjistike për të vazhduar traditën e organizimit të zgjedhjeve të lira dhe demokratike në Kosovë, – ka pohuar kryeministri Thaçi.
           
Në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës, kryeministri Hashim Thaçi ka bërë ftesë të gjithë pjesëtarëve të komunitetit serb që të marrin pjesë në zgjedhjet lokale dhe të kontribuojnë në avancimin e të drejtave dhe pozitës së tyre në shoqërinë kosovare.

Kryeministri Thaçi ka vlerësuar edhe raportin e Departamentit Amerikan të Shtetit për trafikimin e qenieve njerëzore. Në këtë raport vlerësimet për zhvillimet ne Kosovë, janë identike me angazhimet e Qeverisë së Republikës së Kosovës për luftimin të gjitha dukurive negative.

Qeveria ka vendosur që të ofrojë mbështetje me mjete shtesë për komunën e Shtërpcës në shumën prej 50.000 Euro. Kjo mbështetje financiare është bërë për arsyen e niveli e kapacitetit fiskal buxhetor të komunës së Shtërpcës, e cila paraqitet me nivel të ulët të inkasimi të të hyrave vetanake.

Në mbledhjen e sotme, Qeveria e Republikës së Kosovës ka vendosur që të gjitha deponitë e grumbullimit të hekurishteve të largohen nga rrugët magjistrale, së paku 1 kilometër, në një afat prej 90 ditësh.

Në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale do të themelohet Sekretariati Administrativ për çështjen e trashëgimisë së Trupave Mbrojtëse të Kosovës, si strukturë e veçantë organizative në pajtim me Ligjin Nr. 03/L-083 për Shpërbërjen e Trupave Mbrojtëse të Kosovës. Sekretariati për çështjet e trashëgimisë së TMK-së për punën dhe aktivitetin e vet do t`i përgjigjet dhe raportojë çdo 6 (gjashtë) muaj Qeverisë së Republikës së Kosovës.

Me kërkesë të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, qeveria ka ndarë mjete për mbulimin e shpenzimeve për rehabilitimin e Invalidëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Qeveria ka aprovuar kërkesën e Ministrisë së Energjisë dhe Minierave që të shpallet zonë me interes të veçantë zona ku parashihet ndërtimi i Hidrocentralit të Zhurit, që përfshin një sipërfaqe prej 19.41 km2. Vendimi rregullon zhvillimin dhe shfrytëzimin e kontrolluar të zonës dhe ofron mundësinë për ndërtimin e Hidrocentralit të Zhurit.

Strategjia dhe Plani i Veprimit për të Drejtat e Fëmijëve 2009-2013, ka marr miratimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës në mbledhjen e sotme. Strategjia për të Drejtat e Fëmijëve përmban vizionin dhe misionin, qëllimet, analizën e situatës së të drejtave të fëmijëve në fushat prioritare si: qeverisja, buxheti, arsimi, shëndetësia, mirëqenia sociale, drejtësia për të mitur, dhe çështje të tjera të rëndësishme ndër sektoriale. Ndërsa Plani i Veprimit përmban objektivat kryesore të synuara, aktivitetet e përcaktuara, institucionet përgjegjëse për zbatimin e aktiviteteve, planin kohor, dhe koston buxhetore.

Më qëllim të parandalimit dhe luftimit të terrorizmit vendor dhe ndërkombëtar si dhe ballafaqimin me këtë dukuri, Ministria e Punëve të Brendshme ka hartuar Strategjinë Shtetërore të Republikës së Kosovës dhe Planin e Veprimit Kundër Terrorizmit. Këto dy dokumente strategjike përmbajnë qëllime, objektiva dhe aktivitete të cilat duhet të adresohen për zbatimin e një politike efektive kundër terrorizmit të brendshëm dhe të jashtëm dhe ka për qëllim të ndihmojë zhvillimin dhe zbatimin e politikave për të forcuar kapacitetet kundër terrorizmit në të gjitha nivelet.

Strategjia Shtetërore e Republikës së Kosovës deh Plani i Veprimit Kundër Drogave, gjithashtu ka marr miratimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës në mbledhjen e sotme. Qëllimi i kësaj strategjie është zhvillimi i politikave për marrjen e përgjegjësive për mbrojtjen e  individit dhe shoqërisë, dhe problemet që janë pasojë e keqpërdorimit të drogave.

Qeveria në mbledhje ka miratuar Projektligjin për Parandalimin dhe Luftimin e Krimit Kibernetikë që rregullon preventivin dhe dënimin krimeve që rezultojnë nga kibernetika dhe sistemet e kompjuterëve.

Në mbledhje është miratuar edhe Projektligji për Mbrojtjen e Topografisë së Qarqeve të Integruara.

Qeveria e Kosovës ka ndarë 150 mijë euro për Kombinatin Metalurgjik “Trepça”. Një ndihmë financiare, Qeveria e Kosovës ka ndarë edhe për familjen Krasniqi nga Kishnica dhe për familjen e dëshmorit Bekim Mani.

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors