Prishtinë, 15 qershor 2009
Zëvendëskryeministri i Republikës së Kosovës, Hajredin Kuçi, në takimin që ka zhvilluar sot me drejtorin për BE-në në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Suedisë, Lars Wahlund ka shprehur falënderime në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës, për ndihmën që është duke dhënë në kontinuitet Suedia për Kosovën.
Qeveria e Republikës së Kosovës është gatshme për zhvillimin e bashkëpunimit bilateral me Suedinë, – ka thënë zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi dhe ka bërë ftesë që investitorët suedez të jenë prezent në Kosovë dhe të avancojmë bashkëpunimin edhe në fushat ekonomike.
Kosova duhet të jetë pjesë e agjendës së integrimeve evropiane dhe duhet të jetë prezentë në forume të ndryshme ku flitet për agjendën e integrimeve evropiane dhe të jetë e barabartë në këto proceseve, ka vlerësuar zëvendëskryeministri Kuçi.
Suedia ka luajtur një rol pozitiv dhe jam i bindur që edhe në të ardhmen do të kemi mbështetjen e saj. Raporti i progresit i Komisionit Evropian për këtë vit dhe studimi i fizibilitetit do të jenë pozitiv për Kosovën dhe do të hapen mundësi të reja për proceset integruese të Kosovës në Bashkimin Evropian, por edhe për procesin e liberalizimit të vizave”, ka thënë zëvendëskryeministri i Hajredin Kuçi.
Drejtori për Bashkimin Evropian në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Suedisë, Lars Wahlund është shprehur se Suedia do ta fillojë kryesimin e Bashkimit Evropian pas 15 ditësh dhe në këtë kuadër ka shprehur gatishmërinë e shtetit të tij për të bërë më të mirën e mundshme në këtë periudhë, me hapa konkretë për të ndihmuar zhvillimin e proceseve në të ardhmen, në interes në Kosovës.