Kryeministri Thaçi shprehet për avancim të marrëdhënieve me të gjithë fqinjët e Republikës së Kosovës


Image

Prishtinë, 1 tetor 2009

Kryeministri Hashim Thaçi ka njoftuar kabinetin qeveritar se me ftesë të kryeministrit të Kosovës dhe të Qeverisë së Republikës së Kosovës, më 6 dhe 7 tetor, për vizitë zyrtare në vendin tonë, do të qëndrojë kryeministri i Republikës së Shqipërisë, Sali Berisha. Gjatë kësaj vizite, do të nënshkruhen një varg marrëveshjesh dypalëshe të bashkëpunimit nga fusha të ndryshme. Kryeministri Hashim Thaçi është shprehur edhe për avancimin e marrëdhënieve fqinjësore me të gjithë fqinjët e Kosovës.

Në fjalën e hapjes, kryeministri Hashim Thaçi ka vlerësuar të suksesshme edhe qëndrimin e presidentit të Republikës së Kosovës në Nju Jork dhe fushatën lobuese gjatë zhvillimit të Asamblesë vjetore të Organizatës së Kombeve të Bashkuara.

Kryeministri Thaçi ka vlerësuar se Kosova është në rrugë të mirë të forcimit të progresit të ndërtimit të shtetit të Kosovës dhe ka vlerësuar edhe fillimin e trajnimit të stafit të ri diplomatik dhe konsulor të Kosovës.

Në mbledhje është formuar Komiteti Ndërministror për Administrimin e Tokës në Republikën e Kosovës dhe Infrastrukturës Shtetërore të të dhënave Hapësinore. Ky komitet do të përbëhet nga Ministria e Administratës Publike, Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal, Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor dhe nga Zyra e Kryeministrit. Në përbërje të këtij komiteti po ashtu është propozuar që të hyjnë edhe kryeshefi i Agjencisë Kadastrale të Kosovës dhe Drejtori i Agjencisë Kosovare të Privatizimit.

Qeveria ka miratuar Projektligjin për Klasifikimin e Informatave dhe Verifikimin e Besueshmërisë. Ky Projektligji krijon bazë juridike për themelimin e sistemit administrativ për klasifikimin e informatave dhe ruajtjen e tyre konform standardeve ndërkombëtare të sigurisë, procedurën dhe kushtet materiale-juridike për verifikimin e sigurisë së personave që sipas detyrës zyrtare duhet të kenë qasje në informata të klasifikuara.

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors