Kryeministri Thaçi: Kur investojmë në edukim, e dimë se investojmë në të ardhmen e sigurt të vendit dhe të qytetarëve tanë


Image


Image


Image


Image

Prishtinë, 9 shtator 2009

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, bashkë me ministrin e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Enver Hoxhaj dhe kryetarin e Komunës së Therandës, Sali Asllanaj, ka përuruar përfundimin e punimeve në ndërtimin e shkollës së re fillore në Therandë.

Në vazhdim po e japim të plotë, fjalën e kryeministrit Thaçi në manifestimin e organizuar me këtë rast

Të nderuar mësimdhënës,

Të nderuar prindër, nxënës,

Ju përshëndes në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës në këtë ditë jashtëzakonisht të rëndësishme për ju dhe për ne, me rastin e përurimit të kësaj shkolle të re në këtë vend të mrekullueshëm.

Jam sot këtu së bashku me ministrin e Arsimit, Hoxhaj që t’ju përshëndesim dhe në të njëjtën kohë t’ju urojmë fillimin e vitit të ri shkollor të gjithë punëtorëve arsimorë këtu në Therandë, të gjithë nxënësve, edhe prindërve. Në të njëjtën kohë të marrim edhe pjesë në këtë ceremoni të gëzimit dhe të ndajmë gëzimin bashkërisht me ju në përurimin e këtij objekti të ri shkollor.

Të nderuar të pranishëm,

të nderuar punëtorë të arsimit,

pedagogë,

prindër,

nxënës,

Po fillon viti i ri shkollor me objekte të reja shkollore, me objekte moderne si kjo. Objekte shumë moderne si kjo janë përfunduar, si dhe janë duke u përfunduar anekënd Kosovës, nëpër shumë komuna të vendit tonë, në mënyrë që të vazhdojmë me investimin tonë jashtëzakonisht të rëndësishëm, në investimin për të ardhmen të fëmijëve tanë.

Sepse, kur investojmë në edukim e dimë se investojmë në të ardhmen e sigurt të vendit dhe të qytetarëve, në të ardhmen e sigurt për zhvillimin real ekonomik, për krijimin e vendeve të reja të punës dhe që fëmijët tanë të rriten me kushtet, standardet e gjithë fëmijëve të botës demokratike.

Prandaj, që nga fillimi, prej prioriteteve kryesore apo mund të them, prioriteti kryesor i Qeverisë së Republikës së Kosovës ka qenë investimi në edukim dhe ky investim do të vazhdojë edhe në të ardhmen.

Ndihem tepër mirë që këto investime e kanë përfshirë në mënyrë shumë të rëndësishme edhe komunën e Therandës, edhe me ndërtimin e shkollave të reja, me meremetimin e tyre, por në të njëjtën kohe, dua të theksoj se këto investime vetëm sa do të thellohen, edhe këtu në qytet, edhe në fshatra.

Filloi viti i shkollor me objektet të reja, por në të njëjtën kohë ndihëm tepër mirë që Qeveria e Republikës së  Kosovës ka shpërndarë gratis librat për të gjitha nxënësit prej klasës së parë deri në klasën e nëntë. Një gjë e tillë do të vazhdojë edhe në të ardhmen.

Gjithashtu të nderuar të pranishëm, ne do të vazhdojmë për të investuar në edukim edhe tash në projektin madhor, jashtëzakonisht të rëndësishëm për kompjuterizimin e të gjitha shkollave në Kosovë. Ky është një projekt i kushtueshëm, por i implementueshëm dhe do ta realizojmë bashkërisht.

Të nderuar mësimdhënës,

Nga ajo që kemi diskutuar dhe planifikuar në Qeverinë e Kosovës edhe me insistimin e ministrit Hoxhaj, dua të potencoj se përpos rritjes së pagave që ka ndodhur në vitin e kaluar, gjatë këtij mandati do të ketë minimum edhe një ngritje pagash për të gjithë të punësuarit në arsim në Kosovë.

Të nderuar të pranishëm,

Do të vazhdojmë me investime edhe në infrastrukturën rrugore, edhe në ndërtimin e ambulanteve të reja, edhe në kanalizime dhe në ujësjellës dhe sapo e diskutuam përsëri edhe me kryetarin e komunës, z. Asllanaj  për domosdoshmërinë e rregullimit të shtratit të lumit. Prandaj, një gjë e tillë do ta ketë përkrahjen e plotë e Qeverisë së Kosovës edhe timin personal.

Ju faleminderit!     

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors