Kryeministri Thaçi në ditën e parë të vitit shkollor siguron nxënësit dhe mësimdhënësit: Së shpejti do të fillojë projekti madhor i kompjuterizimit të mëse 1200 shkollave në gjithë vendin


Image


Image


Image

Prishtinë, 1 shtator 2009

Në një fjalë rasti, kryeministri Thaçi uroi arsimtarët dhe 700 nxënës e kësaj shkolle për një vit të mbarë dhe të suksesshëm

Në vazhdim po e japim të plotë fjalën e kryeministrit Thaçi para arsimtarëve, nxënësve dhe qytetarëve të Miloshevës së Kastriotit

Të nderuar mësimdhënës, nxënës të kësaj treve,

Ndihem tepër i privilegjuar që sot marr pjesë në përurimin e kësaj shkolle shumë të bukur, të kësaj shkolle që është pritur me vite derisa të fillojë, por edhe të përfundojë.

Sot është një ditë e madhe, është festë për të gjithë, është dita e fillimit të vitit të ri shkollor, që çdo familje e pret me padurim, sepse i dërgon fëmijët në shkollë dhe para së gjithash, sivjet, e veçanta është se, i dërgon çdo familje fëmijët e vet në shkolla të reja, në ambiente shumë moderne, në ambientet e Kosovës së re, Kosovës moderne, Kosovës shtet i pavarur, sovran dhe demokratik.

Dallimi mes Kosovës së kaluar, e vetëm para dy viteve dhe Kosovës së sotme, mund ta shohim sot, këtu në fshatin tuaj. Kjo është Kosova e re. E gëzofshi!

Por, jo vetëm fshati juaj, por edhe shkolla të tilla të bukura, me hapësira të mjaftueshme, shumë moderne, sot, mësimin në tërë Kosovën e fillojnë në 25 shkolla të tilla anekënd Kosovës dhe në 40 të tjera gjithashtu.

Që nga dita e parë e themelimit të Qeverisë, prej prioriteteve kryesore, të qeverisë që udhëheq unë, ka qenë investimi në arsim, investimi në edukim. Prandaj, kemi filluar në ndërtimin e shkollave të reja, me modernizimin e tyre, zgjerimin e hapësirave dhe sot, ndihemi mirë që po i bëjmë këto ndryshime dhe po i përjetoni vet ju si mësimdhënës, por edhe si nxënës. Në anën tjetër, ndihem tepër mirë që edhe prindërit janë krenarë me shkollat dhe hapësirat.

Ne do të vazhdojmë me investime të tjera në arsim. Ka përfunduar pilot projekti i kompjuterizimit të shkollave dhe së shpejti do të fillojë projekti madhor, projekti i kompjuterizimit-informatizimit të çdo shkolle anekënd Kosovës, më se të 1200 shkollave në gjithë territorin e Republikës së Kosovës.

Gjithashtu, Qeveria që udhëheq unë, ka vendosur që nga ky vit për të gjithë nxënësit kosovarë nga klasa e parë deri në të nëntën, të shpërndajë librat falas.

Ju e dini që gjatë këtij mandati ka ndodhur edhe ngritja e pagave në bazë të gradimit, por, sot, jam këtu për t’ju konfirmuar edhe njëherë juve mësimdhënës të këtij fshati dhe gjithë Kosovës, se gjatë këtij mandati qeverisës, do të ndodhë edhe një rritje meritore e pagave për ju të nderuar mësimdhënës.

Urime dhe suksese!

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors