Prishtinë, 17 dhjetor 2009
Kosova në GJND ka pasur një prezantim mjaft dinjitoz, në kuptimin më profesional dhe nivelin më të lartë të mundshëm.
Lidhur me procesin në GJND, ministri i Jashtëm Skender Hyseni ka thënë se argumentimi i Kosovës në gjykatë ka qenë shumëdimensional dhe absolutisht i plotë dhe i ndihmuar nga më tepër se 16 kombe të lira të botës që janë paraqitur për dëshmi gojore.
“Kosova i mbetet konsekuent qëndrimit dhe besimit tek drejtësia ndërkombëtare dhe në paanësinë e këtij institucioni ndërkombëtar të drejtësisë”, ka thënë z. Hyseni.
Më tutje kryeministri Thaçi ka përshëndetur përfundimin me sukses të raundit të dytë të zgjedhjeve lokale .
“Dëshiroj të theksoj se këto zgjedhje u vlerësuan lartë nga i gjithë komuniteti ndërkombëtar. Kemi arritur standardin evropian dhe ky është sukses i shtetit të Kosovës”, ka thënë z. Thaçi.
Kryeministri Hashim Thaçi para kabinetit të tij qeveritar sot ka prezantuar një deklaratë lidhur me krijimin e rrethanave të reja shumë favorizuese për respektimin e komuniteteve në Kosovë, por edhe raporteve ndër fqinjësore të mira që ka ndërtuar Kosova me të gjitha vendet e rajonit.
Kryeministri Thaçi ka thënë se Qeveria e Republikës së Kosovës çmon dhe përkrah diversitetin etnik të Kosovës.
Mbrojtja e të drejtave të komuniteteve është pjesë e Kushtetutës së Kosovës. Komunitetet etnike në Kosovë janë të integruara plotësisht në institucionet qendrore dhe lokale. Shembulli më i mirë është participimi i tyre në zgjedhjet lokale, – u shpreh kryeministri Thaçi dhe shtoi se Qeveria e Republikës së Kosovës mirëpret pjesëmarrjen e komunitetit malazias në Kosovë përkrah të gjitha komuniteteve që jetojnë në Kosovë. Do të kenë mbështetje afirmative.
Shpresojmë se komuniteti malazias do të kontribuojë në thellimin edhe më të madh të raporteve fqinjësore dhe ndërshtetërore midis Republikës së Kosovës dhe Republikës së Malit të Zi. Qeveria e Republikës së Kosovës është e përkushtuar që të vendosë marrëdhënie të plota diplomatike me Republikën e Malit të Zi – theksoi kryeministri Hashim Thaçi.
Në vazhdim Qeveria ka shqyrtuar dhe miratuar propozimin që Komiteti Drejtues Ndërministror për Partneritetet Publiko – Privat ta përfaqësoj Republikën e Kosovës si autoritet kontraktues në prokurimin për të zgjeruar dhe për të operuar me Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës.
Qeveria në mbledhjen e sotme ka miratuar projektligjin për Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës dhe Projektligjin për ekzekutimin e sanksioneve penale..
Qeveria e Republikës së Kosovës sot i ka dhënë dritën e gjelbër ri konfigurimit të projektit energjetik “Kosova e re”. Sipas ministres Justina Shiroka-Pula, Komiteti Drejtues pas disa takimeve ku kanë marrë pjesë edhe përfaqësues të mekanizmave ndërkombëtar ka propozuar rikonfigurimin sipas të cilit parashihet ndërtimi i TC Kosova e re me kapacitete fillimisht 500 megavat.
Kryeministri Hashim Thaçi duke i dhënë përkrahjen propozimit të Komitetit Drejtues ka pohuar domosdoshmërinë për përshpejtimin e fillimit të projektit dhe njëherit ka tërhequr vërejtjen për rregullat e reja të tregut dhe gjendja e re financiare në botë dhe politikat e reja klimatike globale.
Qeveria sot ka ndarë 10 mijë euro për buxhetin shtesë për shërbyesit civilë që punojnë në Gjykatën e Qarkut në Mitrovicë.
