Thekse nga deklarimi i sotëm i kryeministrit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi lidhur me mbarëvajtjen e raudit të dytë të zgjedhjeve, që u mbajt 13 dhjetor
Sovrani ka folur dhe ka vendosur, ka shprehur vullnetin e vet të dielën.
Tash ai proces është përmbyllur. Është me rëndësi që procesin që jemi duke kaluar tani, të ankesave, parashtresave të ndryshme, assesi të mos politizohet dhe të mos ketë ndikime apo pretendime ndikuese.
Por, t’i besohet punës së shkëlqyeshme, të cilën e ka bërë edhe Komisioni Qendror Zgjedhor edhe KZAP-i dhe kemi marrë një vlerësim shumë të lartë prej të gjitha autoriteteve ndërkombëtare se në Kosovë ka ndodhur një mrekulli e organizimit të shkëlqyeshëm të zgjedhjeve të lira.
Prandaj, ka fituar shteti i Kosovës, partitë, të gjithë kandidatët që janë fitues dhe në këtë drejtim ne duhet të punojmë maksimalisht që të respektohen standardet profesionale të përmbylljes edhe të këtij procesi.
Duhet të respektohet profesionalizmi dhe assesi të ndodh ndikimi politik në këtë proces, as ndaj KQZ-së dhe as ndaj KZAP-it.
Ju i dini vlerësimet edhe të vëzhguesve ndërkombëtarë dhe vendorë për një organizim tepër të mirë të zgjedhjeve, prandaj mesazhi im është përgëzime për të gjithë.
Të gjithë duhet ta pranojnë vulën dhe vullnetin e sovranit. Zgjedhjet e së dielës kanë fitues, por kanë edhe renditjen e partive të dytë, të tretë, të katërt… Unë ndihem tepër mirë që udhëheqë partinë numër një në Kosovë.
