Prishtinë, 16 nëntor 2009
Fillimisht falënderoj ju gazetarë për përcjelljen e vazhdueshme dhe të pandërprerë gjatë tërë kësaj periudhe, edhe fushatën elektorale, edhe ditën e votimit, edhe procesin e shpalljes së rezultateve. Ju falënderoj shumë për punën e palodhshme dhe të shkëlqyeshme të cilën e keni bërë, falënderoj personalisht, por edhe në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës.
Sot, secili shtetas i Republikës së Kosovës duhet të ndihet shumë krenar për suksesin e shtetit tonë, për suksesin që arritëm në zgjedhjet lokale, të parat këto në Kosovën e pavarur, sovrane, demokratike dhe shumetnike, zgjedhje këto lokale të para në Kosovën e pavarur, të organizuara me standardin më të lartë perëndimor, me standardin më të lartë evropian. Një organizim i shkëlqyeshëm, e kam theksuar edhe ditë më parë dhe ritheksoj edhe sot, se Kosova u dëshmua si kampion i demokracisë në rajon.
Këto zgjedhje lokale tejkaluan definitivisht kornizat e kuptimit elektoral lokal.
Në këto zgjedhje morën pjesë të gjithë. Prezantuan projekte për të mirën e qytetarëve të gjithë, gjithë spektri politik, i të gjitha komuniteteve.
Këto zgjedhje marrin kuptimin e referendumit dhe besimit për qeverisjen e mirë në Republikën e Kosovës.
Qytetarët dhe institucionet e Republikës së Kosovës dhanë provimin e demokracisë në Kosovën e pavarur dhe demokratike.
Zgjedhjet lokale të 15 nëntorit, ishin zgjedhje fer, zgjedhje të lira, demokratike, të konkurrencës së lirë, dëshmuan pjekurinë më të lartë gjatë gjithë fushatës elektorale, gjatë ditës së votimit, por edhe të administrimit të votës, të shpalljes së rezultateve dhe pranimit unanim të rezultatit zgjedhor nga gjithë spektri politik.
Pra, fitoi Kosova, fituan qytetarët e Republikës së Kosovës, fitoi shteti i Kosovës.
Është jashtëzakonisht inkurajuese dhe falënderoj të gjithë qytetarët e Kosovës për pjesëmarrje, në përqindje më të madhe sesa në vitin 2007, pra, është një rritje e pjesëmarrjes në këto zgjedhje në raport me vitin 2007.
Dua t’i falënderoj të gjithë qytetarët dhe të gjitha partitë politike, kandidatët e pavarur, për pjesëmarrje në zgjedhje të të gjitha komuniteteve.
Falënderoj posaçërisht dhe inkurajoj tash në qeverisje të re, autoritetet lokale, legjitime tanimë, të komunitetit serb që do të jenë në disa komuna dhe unë si kryeministër I Kosovës, Qeveria e Kosovës, institucionet e Republikës së Kosovës, janë të zotuara të implementojnë dokumentin e presidentit Ahtisaari.
Kosova në këto zgjedhje tregoi kulturë shumë të lartë shtetndërtuese dhe demokratike.
Kosova tregoi standard të lartë, sepse këto zgjedhje u organizuan nga ne vendorët, me këshillat dhe mbështetjen e plotë ndërkombëtare.
Suksesi është i Republikës së Kosovës i shtetit të Kosovës dhe falënderojmë miqtë ndërkombëtar për mbështetje të jashtëzakonshme.
Falënderoj gjithë komunitetin ndërkombëtar në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, bashkimin Evropian, të gjithë monitoruesit vendor dhe ndërkombëtar.
Unë sot, kam marrë përgëzimet më të mira për shtetin e Kosovës, për institucionet vendore, për kulturën e lartë demokratike të qytetarëve të Kosovës, mesazhe përgëzimi edhe nga Uashingtoni, edhe nga Bashkimi Evropian, edhe nga autoritetet këtu që punojnë në Kosovë, ICO. Të gjithë i vlerësojnë zgjedhjet si zgjedhje të standardeve më të larta evropiane, të standardeve më të larta perëndimore, si zgjedhje të shkëlqyeshme.
Dëshiroj të falënderoj për punën e mrekullueshme, Komisionin Qendror Zgjedhor. Është bërë një punë model edhe për të tjerët, është bërë një punë që ka krijuar bazë tepër të mirë edhe për të ardhmen demokratike të Kosovës.
Falënderoj në këtë rast edhe Policinë e Kosovës për punën shumë profesionale.
Falënderoj për këshillat, sugjerimet, për pjesëmarrjen aktive në këtë proces të rëndësishëm shtetëror e gjithë qytetar, shoqërinë civile kosovare, mediat e pavarura, që treguan profesionalizëm, vendosmëri dhe guxim në punën e tyre, me korrektësinë më të lartë.
Dëshiroj të theksoj se ne po tregojmë shembullin më të mirë të angazhimeve tona, të konsolidimit të shtetit tonë të ri.
Këto zgjedhje kanë konsoliduar shumë fuqishëm Qeverinë e Republikës së Kosovës dhe të gjitha institucionet e saj.
Me suksesin e plotë dhe shumë të fuqishëm të institucioneve tona, të popullit tonë, me këto zgjedhje, ne e kemi ofruar republikën e Kosovës, shtetin tonë, edhe më afër integrimit në Bashkimin Evropian dhe në NATO.
Ne do të vazhdojmë me reforma demokratike në të gjitha aspektet, edhe në politikë, ekonomi dhe legjislacion.
Për Kosovën se shpejti do të ketë edhe liberalizim të vizave për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës, Marrëdhënie Tregtare dhe dialog për asociim-stabilizim.
Ne do të vazhdojmë me standardin më të lartë të qeverisjes, me qeverisje të mirë, me sundim të ligjit, në luftën e pakompromis kundër dukurive negative, zero tolerancë ndaj korrupsionit, me një bashkëpunim të ngushtë me të gjitha autoritetet ndërkombëtare.
Unë pres me padurim prioritetet tona që kemi edhe në nivel qendror, por edhe në nivel lokal, me autoritetet legjitime, autoritetet këto që do të vazhdojnë implementimin e projekteve në interesin e të gjithë qytetarëve kudo që jetojnë ata.
Prandaj, është një sukses historik i Republikës së Kosovës dhe të gjithë qytetarëve të Kosovës dhe institucioneve të saj.
Falënderoj edhe një herë të gjitha partitë politike, të gjithë qytetarët për gjithë këtë sukses të jashtëzakonshëm.
Faleminderit!
