Prishtinë, 4 nëntor 2009
Kryeministri i Republikës së Kosovës, z. Hashim Thaçi, i shoqëruar nga zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi, me ftesë të ambasadës suedeze si kryesuese e radhës e Bashkimit Evropian, zhvilloi sot një takim pune me ambasadorët dhe shefat e misioneve të Bashkimit Evropian në Kosovë. Në takim ishte i pranishëm edhe Përfaqësuesi Civil Ndërkombëtar/Përfaqësuesi Special i BE-së z. Pieter Feith.
Në takim u bisedua për gjendjen aktuale në Kosovë. Kryeministri Thaçi vlerësoi ecurinë e fushatës zgjedhore si të qetë dhe dinjitoze, me një konkurrencë programesh dhe konceptesh. Ishte qëndrim i përbashkët që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve po kryen punën e vetë me profesionalizëm.
Gjatë takimit u bisedua edhe për Raportin e Progresit dhe Studimin për Kosovën të Komisionit Evropian, ku afirmohet qartë perspektiva evropiane e Kosovës. U ra dakord që të intensifikohen përpjekjet dhe mbështjetja për tejkalimin e sfidave të identifikuara në raport.
Kryeministri Thaçi falenderi diplomatët evropianë për mbështetjen e tyre për Kosovën deri më tani dhe u zotua për thellim të bashkëpunimit dhe raporteve me të gjitha vendet e BE-së në procesin e mëtejshëm të zhvillimit ekonomik, liberalizimit të vizave, marrëdhënieve tregtare dhe dialogut të stabilizim asociimit për Kosovën.
