Kryeministri Thaçi: Qeveria me përkushtim po angazhohet në marrjen e përgjegjësive për realizimin e Strategjisë për veriun e Kosovës


Image


Image

Prishtinë, 08.03.2010

Në hapje të mbledhjes, kryeministri Hashim Thaçi ka theksuar se Strategjia për veriun e Kosovës bazohet në këto shtylla kryesore: vendosjen e sundimit të ligjit në këtë pjesë të territorit të Republikës së Kosovës;  krijimin e komunës së re; shpalljen dhe mbajtjen e zgjedhjeve komunale në tri komunat veriore të Kosovës; dhe zbatimin e planit ekonomiko-social për këtë pjesë të Kosovës.

Me synim të implementimit të Strategjisë për veriun e Kosovës, Qeveria e Republikës së Kosovës ka aprovuar vendimin për themelimin e gjashtë grupeve punuese:

1. Grupi punues për sundimin e ligjit;

2. Grupi punues për kthimin, pajtimin dhe inicimin e dialogut ndëretnik;

3. Grupi punues për zhvillimin socio-ekonomik të rajonit;

4. Grupi punues për zhvillimin e reformës së pushtetit lokal në këtë pjesë vendit;

5. Grupi punues për ngritjen e shërbimeve publike për qytetarët e kësaj pjese të vendit; dhe

6. Grupi punues për komunikimin.

Kryeministri Hashim Thaçi ka theksuar se në ndërtimin e këtyre grupeve do të përfshihet edhe opozita dhe shoqëria civile. Sipas rrethanave të reja gjatë implementimit të strategjisë, do të themelohen edhe grupe të reja punuese, gjithnjë në funksion të implementimit të plotë të strategjisë. Puna e përgjithshme në implementimin e strategjisë dhe angazhimet do të koordinohen me të gjitha institucionet, në të gjitha nivelet dhe me institucionet ndërkombëtare që janë në Kosovë.

Në mbledhjen e sotme është vendosur që Agjensioni për Menaxhimin e Pasurisë së Sekuestruar të zgjerohet për 17 pozita të reja.

Po ashtu, në mbledhje është vendosur që trajnerët nga radhët e shërbimit civil, që do të angazhohen në ligjëratat e Institutit për Administratë Publike, të kompensohen sikur edhe trajnerët tjerë nga shoqëria civile dhe komuniteti akademik.

Në funksion të ndërtimit të partneritetit sa më të gjerë për sigurinë e qytetarëve në vend, Qeveria e Republikës së Kosovës ka miratuar vendimin për të filluar hartimin e Strategjisë Nacionale dhe Planit të Veprimit për Sigurinë në Bashkësi. Kjo strategji do të avancojë konceptin modern të sigurisë dhe do të parasheh ndërtimin e mekanizmave për parandalimin e sjelljeve asociale dhe veprimeve tjera kriminale të individëve.

Qeveria ka aprovuar Udhëzimin Administrativ për procedurat e delegimit të përgjegjësive për skemat e ndihmave sociale, nga niveli ministror në nivelin komunal.

Në mbledhjen e sotme, Qeveria e Republikës së Kosovës ka aprovuar edhe Projektligjin për Energjinë Elektrike. Ky projektligj e kompleton infrastrukturën ligjore të energjisë elektrike në Kosovë dhe është aplikuar në pajtim me rrethanat në Kosovë dhe në përputhje edhe me standardet evropiane për energjinë elektrike. 

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors