Prishtinë, 2 korrik 2010
Deklaratë e kryeministrit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi në konferencën e sotme për media
Fillmisht, dua të shpreh keqardhjen time të thellë për ngjarjen fatale që rezultoi me humbjën e jetës së një qytetari të Republikës së Kosovës, si pasojë e shperthimit të një granate të dorës në veri të Mitrovicës.
Më këtë rast, unë i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjës të së ndjerit.
Njëkohësisht, i ftoj organet kompetente që t’i ndriçojnë rrethanat e këtij rasti.
Siç jeni të informuar, Qeveria e Republikës së Kosovës sot në mengjes ka hapur një Qendër-zyrë për Shërbime Civile në veri të Mitrovicës.
Kjo qendër do të ofrojë shërbime që janë shumë të nevojshme për të gjithë qytetarët që jetojnë në atë pjesë.
Në këtë qendër do të punojnë zyrtarët e Ministrisë së Punëve të Brendshme, Ministrisë së Pushtetit Lokal dhe të autoriteteve lokale të Komunës së Mitrovicës.
Qytetarët e Kosovës të të gjitha komuniteteve do të mund të pajisen me dokumente të ndryshme personale për nevojat e tyre.
Kjo qendër iu shërben të gjithë qytetarëve që jetojnë në atë pjesë të Mitrovicës dhe nuk paraqet asnjë rrezik për askënd. Përkundrazi.
Qeveria e Republikës së Kosovës mbetet e përkushtuar që t’iu sigurojë shërbime të gjithë qytetarëve të Kosovës kudo që jetojnë ata pavarësisht përkatësisë etnike.
Qeveria e Republikës së Kosovës i fton të gjithë qytetarët që të përmbahen nga veprimet e dhunshme, të rrinë të qetë dhe pakënaqësitë evntuale t’i shprehin në menyrë paqësore dhe demokratike.
Dua të ritheksoj edhe njëherë se Qeveria e Republikës së Kosovës mbetet e përkushtuar për sundimin e rëndit dhe ligjit, dhe për t’iu shërbyer qytetarëve anëkend Kosovës.
Jam i vendosur, nuk ka kthim prapa për asnjë milimetër.