Prishtinë 01 Korrik 2010
Nën drejtimin e zëvendëskryeministrit të Qeverisë së Republikës së Kosovës, Hajredin Kuçi është mbajtur sot takimi i radhës i Komisionit të Reformës së Administratës Publike.
Fillimisht z. Kuçi ka theksuar se ministritë gjatë gjithë procesit të reformimit të administratës kanë pasur mbështetjen e FRIDOM-it, DFID-it dhe të ambasadës së Britanisë së Madhe dhe me këtë rast ka falënderuar për përkushtimin e tyre ne drejtim të ndihmës për këtë proces të rëndësishëm të modernizimit dhe të reformimit të administratës publike ne Kosovë.
Zëvendëskryeministri Kuçi theksoi se Qeveria e Kosovës është shumë e përkushtuar për një proces të reformimit dhe modernizimit të administratës publike . “Procesi i suksesshëm i rishikimit funksional është parapërgatitje dhe një nga parakushtet e institucioneve të Republikës së Kosovës për procesin e integrimit ne Bashkimin Evropian”. Theksoi zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi .
Në vazhdim Komisioni Ndërministror ka përkrahur hartimin e planeve strategjike zhvillimore në linjë me rekomandimet nga procesi i rishikimit funksional për Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal dhe Ministrinë e Komuniteteve dhe Kthimit .
Në takimin e sotëm të Komisionit të Reformës së Administratës Publike janë prezantuar rekomandimet nga rishikimet funksionale të Ministrisë së Forcës së Sigurisë dhe Qendrës për Siguri Publike, Edukim dhe Zhvillim.
Komisioni ndërministror për Reformën e Administratës Publike do të takohet edhe një herë para fillimit të pushimeve verore ku do të diskutohet procesi i tërësishëm i rishikimit funksional dhe veprimet e ministrive të linjës në këtë proces të rëndësishëm reformimit.