Prishtinë, 26 korrik 2010
Në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës, kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi ka thënë se opinioni i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë ka vulosur pavarësinë e Kosovës, ka respektuar vullnetin e qytetarëve dhe vendimin për shpalljen e pavarësisë më 17 shkurt 2008
Kryeministri Thaçi ka thënë se opinioni i GJND-së ishte një fitore e madhe për shtetin e Kosovës, por edhe për gjithë rajonin.
Opinioni i GJND-së ka vulosur pavarësinë e Kosovës, ka respektuar vullnetin e qytetarëve dhe vendimin për shpalljen e Kosovës shtet të pavarur dhe sovran. Po ashtu ka legjitimuar në gjithë botën pavarësinë e Kosovës. Ne kemi besuar gjithmonë në drejtësinë ndërkombëtare dhe çdo vendim e kemi marrë në përputhje me të drejtën ndërkombëtare, – ka theksuar kryeministri Thaçi.
Ky vendim, nuk është kundër askujt, por është në dobi të paqes dhe stabilitetit dhe është një përgjigje e drejtë për gjithë botën për të drejtën e popullit të Kosovës për liri dhe shtet të pavarur, – është shprehur z.Thaçi.
Me prezantimin e opinionit të GJND-së, kryeministri Thaçi ka theksuar se, Kosova u bë shteti më i legjitimuar në historinë e krijimit të shteteve, kurse vetë opinioni i GJND-së ishte i qartë, ashtu sikur që ishin përpjekjet e popullit të Kosovës për liri.
Ky vendim ka prekur edhe kujtesat tona për gjithë ata njerëz që sakrifikuan për lirinë e shtetit tonë dhe ka forcuar bindjen se rruga jonë ishte e drejtë dhe se duhet të vazhdojmë me këtë bindje dhe këtë punë. Ky vendim ka forcuar bazamentin e të kaluarës sonë, por edhe ka hapur perspektivën tonë. Ky vendim rrit përgjegjësinë tonë për konsolidimin e shtetit, për sjellje serioze, andaj edhe ne zotohemi se do të vazhdojmë të angazhohemi që besimin i botës demokratike, legjitimimin i pavarësisë ta shndërrojmë në punë dhe kontribut permanent për paqen, stabilitetin për botën demokratike, – është shprehur kryeministri Thaçi para ligjvënësve, duke shtuar se vendimi i GJJND-së po ashtu i ka hapur Kosovës rrugë edhe për procesin e liberalizimit të vizave dhe për integrim në NATO, BE dhe OKB.
Duke njoftuar ligjvënësit për vizitën e tij në SHBA, kryeministri i vendit ka thënë se në takimet që ka zhvilluar atje, është rikonfirmuar edhe njëherë mbështetja e SHBA-së për qeverisjen e mirë në Kosovë, për luftën kundër korrupsionit dhe për ndërtimin e shtetit demokratik dhe multietnik.
Pas prezantimit të opinionit të GJND-së, definitivisht i ka ardhur fundi përmbylljes së suksesshme të pavarësisë së mbikëqyrur, – ka nënvizuar kryeministri Thaçi.
Në emër të Qeverisë së Kosovës, kryeministri i Kosovës, ka ftuar të gjitha vendet që ende nuk e kanë njohur Kosovën, ta marrin vendimin për njohjen e shtetit më të ri në botë.
