Prishtinë, 20 korrik 2010
Sot zëvendëskryeministri i Republikës së Kosovës, Ramë Manaj, është prononcuar për sa i përket opinionit të pritshëm të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për legjitimitetin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës nga ana e Kuvendit të Kosovës, më 2008. Më poshtë mund të gjeni thekse nga ky prononcim:
Ne presim që më 22 korrik GJND-ja ta bëjë publik opinionin e saj për vlerësimin e ligjshmërisë së shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Ne jemi të vetëdijshëm se gjykata do të japë një vlerësim i cili është jodetyrues, sikur që jemi krejtësisht të sigurt se ajo nuk do ta mohojë realitetin në Kosovë dhe të drejtën e saj për shpalljen e pavarësisë. Për këtë dëshiroj t’i ofroj disa argumente: së pari, shpallja e pavarësisë është legale dhe legjitime, sepse e shpreh vullnetin e qytetarëve të Kosovës dhe është shpallur nga kuvendi legjitim i Kosovës, si institucion përfaqësues. Së dyti, procesi që i ka paraprirë shpalljes së pavarësisë ka qenë proces i pashmangshëm, pasi që në Kosovë ka pasur një luftë në të cilën është përfshirë edhe aleanca më e fuqishme ushtarake në botë, NATO-ja, dhe pasi që ka pasur një marrëveshje për tërheqjen e regjimit dhe të forcave ushtarake serbe nga Kosova, me çka është hapur mundësia që paralelisht të vendosen misioni civil ndërkombëtar dhe ai ushtarak në Kosovë; pasi që për statusin e
Kosovës janë zhvilluar biseda të gjata, të sponsorizuara nga bashkësia ndërkombëtare dhe pasi që z. Ahtisaari, i autorizuar nga OKB-ja, ka hartuar një plan për zgjidhjen e statusit të Kosovës.
Nga sa thash, është e qartë se arsyet për shpalljen e pavarësisë së vendit janë politike, historike dhe juridike. Të mos harrojmë, pavarësia ka ardhur si proces edhe i shpërbërjes së shtetit jugosllav, në të cilin Kosova ka qenë element konstituiv. Sot pavarësia është realitet i njohur nga 69 vende të botës, duke përfshirë edhe vendet prijatare të demokracisë në botë.
Mendimin e shprehur të gjykatës, i cili nuk mund të jetë refuzues, ne e shohim si mundësi për refleksione pozitive. Ajo do t’u krijojë mundësi, mbi të gjitha pesë vendeve të Bashkimit Evropian, por edhe shumë vendeve të tjera të botës, të cilat ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, që ta bëjnë këtë sa më shpejt.
Sidoqoftë, është krejtësisht e qartë se vendimi për njohje u takon vendeve sovrane dhe jo Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë. Kosova tashmë është vlerësuar nga e gjithë bashkësia ndërkombëtare si rast “sui generis”, i cili nuk mund të krahasohet me asnjë vend ose rajon tjetër në botë dhe konteksti historik, politik dhe juridik e bëjnë atë të tillë. Njohja e saj duhet të ndodhë edhe për një arsye tjetër: Pavarësia e saj përfundimisht ka dëshmuar se Kosova e pavarur është faktor i pakapërcyeshëm i stabilitetit në rajon, dhe se ajo mund të ndikojë në realizimin e aspiratave të rajonit për integrime euroatlantike, duke ndërtuar marrëdhënie të shkëlqyera ndërshtetërore me të gjitha vendet e rajonit.
