Kryeministri Thaçi: Çdo qytetar i Kosovës duhet të ndihet mirë dhe duhet të jetë krenar për të arriturat në këto 12 vite në liri


Image


Image


Image


Image


Image


Image

Prishtinë, 17 shkurt 2011

Kryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, i shoqëruar nga zëvendësi i tij Hajredin Kuçi dhe ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi  me rastin e trevjetorit të pavarësisë, ka bërë  homazhe dhe ka vënë kurorë lulesh mbi varrin e  presidentit të ndjerë, Ibrahim Rugova dhe pranë varrit të komandantit legjendar të UÇK-së,  Adem Jashari nëPrekaz.

Me këtë rast kryeministri Thaçi  edhe njëherë ka uruar të gjithë qytetarët e Kosovës tre vjetorit të pavarësisë.

“Sot kur po ndërtohet shteti i Kosovës, kur po konsolidohet dhe forcohet në të gjitha aspektet, në atë të sigurisë, të ekonomisë, gjithashtu edhe në aspektin diplomatik, ku është njohur nga 75 shtete, Kosova ka një rrugë të sigurt të integrimit euro-atlantik”, theksoi kryeministri Thaçi , duke shtuar se në trevjetori e Pavarësisë, kujtohet e kaluara jonë krenare, familjet e dëshmorëve, invalidëve të luftës, gjithë luftëtarët e lirisë dhe meritën e gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës për Pavarësinë e Kosovës. Z. Thaçi ka shprehur mirënjohje dhe respekt për gjithë botën ndërkombëtare demokratike për mbështetjen e vazhdueshme në procesin e lirisë, pavarësisë dhe ndërtimit të rendit demokratik.

“Pavarësia e Kosovës është vullneti dhe projekti i qytetarëve të Kosovës, i implementuar më 17 shkurt 2008, kontributi i çdo lideri politik është vlerësuar dhe meriton respektin më të madh, prandaj jemi edhe sot këtu për të shprehur mirënjohjen, për të shprehur nderimin shtetëror”, ka theksuar kryeministri Thaçi.

Pas homazheve, Kryeministri Thaçi ka vizituar edhe familjen Rugova dhe u ka përcjellë urimet me rastin e festës së pavarësisë.

Po sot në mesditë kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi ka bërë homazh pranë varrit të komandantit legjendar të UÇK-së,  Adem Jashari në Prekaz, me rastin e shënimit të trevjetorit të shpalljes së pavarësisë së Kosovës.

“Sot jemi këtu në Prekaz për të bërë nderimin shtetëror për komandantin legjendar Adem Jashari dhe gjithë familjen Jashari. Për të bërë nderim për të gjithë luftëtarët e UÇK-së, gjithë luftëtarët e lirisë që kanë bërë shumë për lirinë e Kosovës. Emri, jeta, vepra e komandantit legjendar Adem Jashari na lidh drejtpërdrejt me udhëheqjen e tij në luftën për liri dhe çlirimin e vendit. Emri i tij ka bashkuar shqiptarët kudo që janë. Të gjithë qytetarët e Kosovës janë çlirimtarë. Çdo qytetar i Kosovës duhet të ndihet mirë dhe duhet të jetë krenar për të arriturat që kemi bërë për këto 12 vjetët e fundit në fitimin e lirisë, me shpalljen e Kosovës shtet të pavarur dhe sovran me njohje që kanë ndodhur, me zhvillimin ekonomik që po ndodh, gjithashtu edhe me rritjen e mirëqenies  sociale”, ka thënë z. Thaçi.

Më tutje kryeministri Thaçi ka pohuar se kemi bërë shumë, na mbetet për të bërë edhe më tepër, tash kur institucionet e reja pritet dhe do të bëjnë edhe më tepër në kuadër të agjendës Kosova Evropiane.

“Sot jemi këtu për të nderuar të kaluarën, por jemi edhe për të marrë energji për të ardhmen”, është shprehur z. Thaçi.

Kryeministri Thaçi më pas ka vizituar edhe familjen Jasharaj dhe u ka përcjellë urimet për tre vjetorin e pavarësisë së Kosovës.

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors