Deklaratë e kryeministrit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi lidhur me zgjedhjet
Prishtinë, 24 janar 2011
Është me rëndësi jashtëzakonisht të madhe që në Kosovë e përmbyllëm suksesshëm procesin elektoral dje në Mitrovicë.
I falënderoj gjithë qytetarët e Mitrovicës për pjesëmarrjen e tyre në zgjedhje dhe natyrisht për votimin e tyre.
Tani, është obligim yni ta implementojmë rezultatin zgjedhor, pra si parti fituese. Falënderoj qytetarët për besimin.
Natyrisht se në demokraci ka fitues dhe ka parti të parë, parti të dytë, e të tjera.
Tash mbetet edhe obligim imi si fitues i zgjedhjeve të filloj të ndërtoj qeverinë e ardhshme të Republikës së Kosovës.
Jemi në rrugë shumë të mbarë, për ndërtimin e një qeverie shumë përfshirëse dhe shumetnike, për vazhdimin e angazhimeve tona për Kosovën evropiane, për Kosovën zhvillimore dhe rritjen e mirëqenies sociale.
Pra, procesi elektoral është përmbyllur. Kemi edhe vlerësimin ndërkombëtar të suksesshëm.
Ne do t’i ndërmarrin hapat e nevojshëm në përputhshmëri me kushtet, rrethanat, por edhe në përputhshmëri të plotë me Kushtetutën tonë, ligjet tona.
Qytetarët e Kosovës kanë zgjedhur liderët e tyre, kanë zgjedhur kush do t’i udhëheq në katër vitet e ardhshme, prandaj institucionet e ardhshme edhe më tutje do ta kenë legjitimitetin e plotë qytetar dhe legalitetin e duhur.
Pra, do të punojmë në angazhime të gjithanshme për një qeveri shumë përfshirëse dhe gjithë etnike, jo gjithëpërfshirëse.