Prishtinë, 21 janar 2011
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi është duke i përcjellë me vëmendje dhe interesim të veçantë zhvillimet aktuale politike në Republikën e Shqipërisë.
Kryeministri Thaçi me këtë rast fton të gjitha institucionet e shtetit shqiptar, spektrin e gjërë politik dhe qytetarët që në këto momente jashtëzakonisht të rëndësishme për perspektivën integruese dhe zhvillimore të Republikës së Shqipërisë të ruajnë stabilitetn e vendit, duke i hapur rrugë bashkëpunimit dhe dialogut mes forcave politike, që është në interes të të gjithë shqiptarëve.
Republika e Shqipërisë, qytetarët shqiptarë, institucionet e shtetit dhe të gjitha forcat politike duhet që bashkërisht të punojnë në frymën e forcimit të shtetit shqiptar, të fuqizimit të rendit dhe ligjit, të paqes, demokracisë, dhe mbi të gjitha të ruajnë frymën e solidaritetit dhe të unitetit politik dhe qytetar, që është vlerë kulmore e shqiptarëve, – thekson kryeministri Thaçi.
Në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës, kryeministri Thaçi iu shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjeve të viktimave të protestës së sotme në Tiranë, ndërsa të lënduarve iu dëshiron shërim të shpejtë.