Prishtinë, 29 nëntor 2026
Mbrëmë, në Ditën e Flamurit Kombëtar dhe në 114-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, priti anëtarët e sapozgjedhur të Këshillit Kombëtar Shqiptar (KKSH), me rastin e formalizimit të marrëveshjes për drejtimin e përbashkët të këtij institucioni.
Pas zgjedhjeve të 8 nëntorit dhe përfundimit të përsëritjes së votimit më 22 nëntor në Breznicë dhe Samolicë, sipas rezultateve përfundimtare të konfirmuara nga Komisioni Republikan i Zgjedhjeve në Serbi më 26 nëntor, PVD–AL me Enkel Rexhepin prin me 4.752 vota dhe 10 mandate; LPD–PDSH me Shqiprim Musliun ka marrë 4.267 vota dhe 9 mandate; APN me Levent Qazimin 2.843 vota dhe 5 mandate, ndërsa PD–LR me Sali Salihin 2.410 vota dhe 5 mandate.
Marrëveshja për drejtimin e përbashkët të KKSH-së, e cila bashkon 24 nga 29 anëtarët e zgjedhur, përcakton që Këshilli Kombëtar Shqiptar në mandatin e ardhshëm të drejtohet nga Enkel Rexhepi. Marrëveshja mbështetet në parimet e gjithëpërfshirjes, respektimit të fituesit, peshës që qytetarët përmes votës ia kanë dhënë secilës listë dhe ndarjes së përgjegjësive institucionale. Kryeministri Kurti dhe anëtarët e sapozgjedhur theksuan se në Këshillin Kombëtar Shqiptar, si institucion i përbashkët për mbrojtjen dhe avancimin e të drejtave kolektive të shqiptarëve, nuk duhet të ketë ndarje në pozitë dhe opozitë, por bashkëpunim dhe bashkëpërgjegjësi institucionale. Në këtë frymë, mirëpritën që marrëveshjes t’i bashkohen edhe pesë anëtarët e Lëvizjes së Progresit Demokratik, duke mundësuar përfshirjen e të gjithë 29 anëtarëve në drejtimin e përbashkët të këtij institucioni.
Pas marrëveshjes së 29 shtatorit në Prishtinë, e cila mundësoi pjesëmarrjen e përbashkët të subjekteve politike shqiptare në zgjedhjet parlamentare të 25 tetorit në Serbi, formalizimi i marrëveshjes së re përbën një hap të mëtejmë në konsolidimin e bashkëpunimit politik dhe institucional të shqiptarëve të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës.
Kryeministri Kurti theksoi se rruga e bashkëpunimit, e dëshmuar në zgjedhjet parlamentare dhe tash edhe në Këshillin Kombëtar Shqiptar, duhet të vazhdojë e të shtrihet edhe në institucionet e tjera përfaqësuese, duke respektuar vullnetin demokratik të qytetarëve.
Në takimin që u mbajt në këtë ditë me domethënie të veçantë historike e kombëtare, u nënvizua se uniteti nuk nënkupton njëtrajtshmëri politike, por respektim të dallimeve, bashkërendim të veprimeve dhe marrje të përbashkët të përgjegjësive në çështjet me interes qytetar e kombëtar.
Qeveria e Republikës së Kosovës mbetet e përkushtuar në mbështetjen e shqiptarëve të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës, në avancimin e të drejtave të tyre individuale e kolektive, në ruajtjen e identitetit kombëtar dhe në fuqizimin e institucioneve të tyre përfaqësuese.






