Prishtinë, 28 nëntor 2026
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, vizitoi ekspozitën “Masnesër” të artistit Taulant Qerkini – TAK, në Galerinë e Arteve të Prishtinës, kuruar nga artisti holandez Z.E.D.Z.
Njoftimi i plotë i kryeministrit Kurti:
Në këtë 28 Nëntor, vizitova ekspozitën “Masnesër” të artistit Taulant Qerkini – TAK, në Galerinë e Arteve të Prishtinës, kuruar nga artisti holandez Z.E.D.Z.
Nga motivet e veshjeve tradicionale dhe mjeshtëritë e endjes në vek, te format e qerpiçëve prej dheu të kulturës sonë materiale e deri te motivet e përditshmërisë sonë, Taki gjen frymëzim për një krijimtari që e ndërlidh botën e pasur të traditës sonë me të ardhmen.
Përmes një hulumtimi dhe pune krijuese dhjetëvjeçare, Taulanti u jep dimensione të reja motiveve, ornamenteve dhe simboleve të trashëgimisë sonë kulturore, duke i shndërruar ato në vepra të artit bashkëkohor. Aty gjejmë ndërthurje të estetikës konstruktiviste me lojëra perceptimi që na kujtojnë botën grafike të M.C. Escher-it, transformime ritmike të formave dhe një marrëdhënie delikate ndërmjet nuancës së ngjyrës me dritën e hijen, si dhe siluetën e thepisur të shqiponjës dykrenare porsi një vulë universale.
Prej një çerekshekulli, ndër pionierët e artit urban në Kosovë, Taki ka pasuruar hapësirat tona publike me grafite e murale, ka zhvilluar një veprimtari të gjerë artistike brenda e jashtë vendit dhe sot përvojën e tij ua përcjell edhe brezave të rinj në Fakultetin e Arteve të Universitetit të Prishtinës.
Me kënaqësi pashë sot një tjetër dimension të krijimtarisë së një artisti, veprat e të cilit na kanë shoqëruar ndër vite në rrugët e Prishtinës. E përgëzoj Takin për këtë ekspozitë dhe i uroj shumë suksese në hulumtimet dhe krijimtarinë e tij të mëtejme artistike.





























